close

ZGJEDHJET LOKALE: FILLOI HESHTJA PARAZGJEDHORE

Thirrje për zgjedhje të lira e demokratike


 

Në mesnatë përfundoi fushata zgjedhore që zgjati 20 ditë dhe filloi heshtja para zgjedhjeve lokale të së dielës. Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar në 15 tetor, ndërsa do të mbahen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Për ndjekjen e zgjedhjeve lokale në Maqedoni, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve deri më tani janë akredituar 5.011 vëzhgues vendor dhe 373 të huaj.

Nga mesnata filloi heshtja parazgjedhore, ku deri nesër në ora 19:00 është e ndaluar propaganda zgjedhore dhe partiake. Gjithsejt 1.814.644 votues nesër nga ora 07.00 deri ora 19.00 do të kenë mundësi që ta japin votën e tyre për Kryetarin e ardhshëm të komunës dhe për anëtarët e këshillave komunale. Votimi është i fshehtë, kurse për të gjitha parregullsitë qytetarët mund të drejtohen në KSHZ, OJQ-në “Most” si dhe tek Komiteti i Helsinkit. Zgjedhjet do të zbatohen në 3480 vendvotime në 80 Komuna dhe në Shkup. Në zgjedhjet e gjashta lokale marrin pjesë kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe për këshilltarë nga 19 parti dhe koalicione, kurse 64 janë nga grupi i zgjedhësve.

Kryetari i Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) Aleksandar Çiçakovski u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në Republikën e Maqedonisë. Në intervistë për MIA-n, ai potencoi se zgjedhjet e nesërme lokale janë kusht për përparim të mëtejshëm të vendit dhe se KSHZ-ja do të bëjë gjithçka për ditë të suksesshme zgjedhore.

“Në emrin e të gjithë anëtarëve të KSHZ-së, u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje, administratën zgjedhore, partitë politike, qytetarët, të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në Republikën e Maqedonisë. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë presin nga KSHZ-ja dhe nga administrata zgjedhore të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike, të cilat janë kusht për përparim të mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë”, tha Çiçakovski.

Organizata qytetare Civil – Qendra për liri u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve dhe palëve të involvuar në procesin zgjedhor që t’i respektojnë ligjet dhe të realizohet proces zgjedhor demokratik, korrekt dhe i lirë.

“Të ndalohet dhe sanksionohet çdo tentim që të prishet heshtja zgjedhore dhe të shkelen ligjet e lidhura me procesin zgjedhor. Nuk guxon, të ketë tolerancë për çfarëdo lloj presioni, kërcënimi ose korrupsion (blerje të votave)”, apelojnë nga Civil.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 5011 vëzhgues të vendit dhe 373 të huaj. Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KSHZ-së, nga vëzhguesit vendor, më shumë të akredituar ka nga OJQ “MOST” – 2843 vëzhgues.

Prej vëzhguesve të huaj, numër më të madh ka nga Misioni i OSBE-ODIHR-i me 198, Ambasada e SHBA-së me 33 vëzhgues, Delegacioni i BE-së – 23, si dhe Qendra Ndërkombëtare Studimore për zgjedhje me 18 vëzhgues. Rrethi i dytë zgjedhor është caktuar pas dy jave, më 29 tetor. Atëherë do të votohet për dy kandidatët që në rrethin e parë kanë marrë më shumë vota. /Art Channel/