close
Top LajmeVendi

ZAEV: KËTË JAVË PRESIM MIRATIMIN E LIGJIT

VMRO-DPMNE me propozim të “pahijshëm”


 

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar sot se pret që këtë javë të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se pas nëntë muajve, debati duhet të mbyllet.

Për mua, kjo çështje duhet të mbyllet sa më shpejt, për shkak se më herët kësi ligjesh miratoheshin me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, para formimit të qeverisë. Tani është ndryshe, nëntë muaj është hapur debati, të gjithë e thanë atë që kishin për të thënë. Kjo është një e drejtë e mohuar kushtetuese e qytetarëve të bashkësive tjera etnike. Le të miratohet Ligji, le të zbatohet dhe do të shohim se nuk ka asgjë tragjike, por do të mundësojë që të kuptohemi më mirë me njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja opozitare ka dalë me përkrahje të proceseve reformuese, por me kusht që Kryeministri Zaev ta tërheq Ligjin për Gjuhët.

“Nëse Zoran Zaevi është i shantazhuar nga partnerët e tij të koalicionit ta votojë Ligjin për Gjuhët dhe frikësohet se do t`i bie Qeveria, VMRO-DPMNE-ja me të gjithë deputetët ofron përkrahje për proceset reformuese të LSDM-së dhe miratimin e të gjitha ligjeve reformuese, por vetëm me një kusht, ta tërheq ligjin e gjuhëve”

Komunikatën e këtillë të opozitës, Kryeministri Zaev e ka vlerësuar si copy-paste të ish-liderit Nikola Gruevski.

Kështu fliste Nikola Gruevski, le të jetë Zaevi kundër për diçka që unë publikisht jam “për” dhe se ata do ta mbështesnin shumicën në parlament. Jo, qeveria është stabile dhe siç shihni koalicioni rritet dhe do të rritet edhe më tutje ngase ardhmëria e Maqedonisë është tek koncepti “Një shoqëri për të gjithë”.

Kanë reaguar edhe nga LSDM-ja, duke e quajtur propozimin e VMRO-DPMNE-së si dyfytyrësi.

“Qytetarët shumë mirë e dinë se VMRO-DPMNE-ja pranoi Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, me shpresë se do të formojnë qeveri. Sot, Ligjin për përdorimin e gjuhëve VMRO-DPMNE-ja e shfrytëzon si pretekst të vazhdojnë me bllokimin e reformave, zhvillimin dhe përparimin e Maqedonisë.”

Propozimin e VMRO-DPMNE-së, Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani e ka quajtur si joserioze me shpresë se e njëjta do të përgënjeshtrohet.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, të enjten e vendosi ligjin për votim, me synimin për të anashkaluar amendamentet e opozitës, ndërsa pas dështimit të seancës, ai u dha një javë afat partive që të arrijnë marrëveshje për miratimin e ligjit. Ai nuk ka komentuar me tepër, por ka thënë se do ta zbatojë Kushtetutën. /Art Channel/

 

Art Channel

The author Art Channel