close
Rajoni

TAHIRI PËR RASTIN DEHARI: LËNDA NË ZVICËR PËR HETIM

Screenshot_6

Lënda dërgohet javën e ardhshme pasi që është përkthyer materiali


Janë bërë më tepër se 17 muaj nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkonte ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria do t’ia hiqte të gjitha shpenzimet.

Në Seancën e Kuvendit, Sami Kurteshi i bëri pyetje ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri lidhur me mbulimin e shpenzimeve për një hetim ndërkombëtar për rastin Dehari.

“Nuk keni sjellur as informatë se çfarë ka ndodhur deri më tani apo se çfarë do të ndërmirren në të ardhmen me rastin në fjalë”.

Ministri Tahiri tha se javën e ardhshme do të dërgohet lënda në Zvicër për hetim pasi që deri më tani është përkthyer materiali.

“Në këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës, ka qenë një lëndë voluminoze me një material 3000 faqe, në këtë javë ka përfunduar përkthimi i saj. Jam i informuar nga Prokuroria e shtetit që javën që vjen, nga e hëna, lënda do të dërgohet përmes atasheut policor të Ambasadës së Zvicrës që është në Kosovë drejt institutit në fjalë”.

Në një konferencë për medie të dhënë më 18 nëntor të vitit 2016 nga kryeprokurori Sylë Hoxha, ai ka deklaruar se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor kanë demonstruar se ky rast ishte vetëvrasje. /Agjencitë/
 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia