close
Rajoni

SULMET NË SIRI: PRISHTINA DHE TIRANA MBËSHTESIN SULMET

Përkrahje SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës


Kosova dhe Shqipëria janë pozicionuar krah SHBA, Francës dhe Britanisë në sulmin ajror ushtarak të ndërmarrë gjatë natës në Siri.  Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar përmes një postimi në Tëitter se mbështet plotësisht sulmet e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës kundër regjimit johuman të Assadit. Ai ka thënë se udhëheqësit e këtyre tri vendeve kanë mbështetjen e të gjithë atyre që konsiderojnë linjë të kuqe përdorimin e armëve kimike kundër njerëzve të vendit të vet.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës për të nisur sulme drejt lokacioneve ushtarake siriane, në përgjigje të sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin sirian, Duma. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “sulmet me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm janë të pafalshme” dhe se veprimet për të vendosur paqe janë të nevojshme.

Përmes një reagimi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta deklaron se Shqipëria është në krah të aleatëve dhe mbështet me vendosmëri Presidentin Trump.

“Mbeshtesim nderhyrjen ushtarake te SHBA, Frances e Britanise ndaj arsenalit kimik te regjimit kriminal te  Asadit. Jemi ne krah te aleateve tane dhe mbeshtesim vendosmerine e Presidentit Trump ne mbrojtje te jeteve te njerezve, te te drejtave te njeriut dhe te cdo veprimi i cili jo vetem ndeshkon akte barbare por krijon me shume siguri dhe stabilitet ne mbare boten”-thuhet në reagimin e presidentit Meta.

Në Tiranë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë dënon ashpër sulmin me armë kimike, në qytetin e Doumës, Siri, i cili mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë.

“Sulmet e sotme nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca janë një përgjigje në kohë ndaj përdorimit, për të disatën herë, të armëve kimike nga regjimi sirian, akt që përbën një krim të rëndë, shkelje të normave ndërkombëtare dhe si e tillë duhet të dënohet. Nxitësit dhe autorët e akteve të tilla duhet të përballen me drejtësinë dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë krim të tmerrshëm kundër njerëzimit, thuhet në deklaratën e ministrisë. /Agjencitë/

 

Art Channel

The author Art Channel