close
Kulture

SHOQATA “TRADITA”:SHËNOHET 90 – VJETORI I LINDJES SË MURAT ISAKU

Screenshot_6

Në këtë aktivitet u promovua përmbledhja me poezi “Jeta e Ketrit”


Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, shënoi 90 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe, Murat Isaku. Ky aktivitet u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, dhe në të morën pjesë profesorë, drejtues të institucioneve kulturore –artistike nga qyteti i Tetovës dhe jo vetëm, dashamirë të artit dhe të kulturës.

Shënimin e përvjetorit të Murat Isakut e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili deklaroi se përmes veprës, Murat Isaku ka dhënë shembullin – modelin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejt në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.

“Siç ndodh me çdo krijues të realizuar, shkrimtar të suksesshëm, edhe Murat Isaku, përtej rolit jetësor, ndikimin më efektiv dhe më afatgjatë, e realizoi me anën të artikulimit të ideve në veprën letrare. Ishte i vetëdijshëm se të jesh shkrimtar shqiptar, do me thënë, njëkohësisht të punoje se ç’të reja mund të ofroje në letërsinë e vendit, si dhe të dije të vlerësoje potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në një situatë të caktuar, ku gjithçka mund të kthehej në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e krijuesit dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme. Ai shkroi për dashurinë që ruan baraspeshën brenda qenies njerëzore, për qëndresën që nëpërmjet letërsisë të ruhet identiteti kombëtar, kulturor e gjuhësor, e trajtoi temën e burgut, ku të burgosurit politikë shqiptarë dënoheshin pa pikë faji, dhe një vend të rëndësishëm në opusin e tij krijues ia kushtoi tokës, vendlindjes dhe familjes”, tha në fjalën e tij, Selam Sulejmani.

Në këtë aktivitet u promovua edhe përmbledhja me poezi të përzgjedhura, me titull: “Jeta e Ketrit”. Se si erdhi deri te ideja për botimin e këtij vëllimi poetik dhe detaje të tjera për poezitë e përzgjedhura të botuara e të pabotuara deri sot, para pjesëmarrësve Prof. Dr. Luljeta Isaku, mes tjerash, në fjalën e saj rrëfeu një kujtim nga shkrimtari Murat Isaku.

“Do ta them një kujtim të cilin e kam pasur bashkë me babain tim, ka qenë hera e fundit që kemi ecur drejt rrugës së Gajres, dhe rrugën na e zuri një ketër, i cili nuk dinte, djathtas apo majtas ta merrë rrugën e tij të caktuar. Babai e shikoi, u kthye nga unë dhe tha: shumë njerëz e bëjnë jetën e ketrit, dhe kjo fjali më mbeti si motiv i pashtjelluar më vonë ç’deshi ai të thotë. Duke u bindur në atë që jeta e ketrit është vetë jeta e njeriut, erdha në idenë për ta titulluar përmbledhjen e poezive të përzgjedhura me jetën e ketrit, sepse në këtë përmbledhje ka poezi të cilat në shumë raste, në shumë momente, përfshin, përmbledhin jetën e vetë autorit dhe jetën e njerëzve me të cilat ai ka jetuar. Dhe për fund dua të them se sikur Murat Isaku të ishte gjallë, do t’i kishte falur të gjitha librat, ashtu siç i ka falur të gjitha librat e botuara paraprakisht. Prandaj sonte, në panel ka 50 libra, të cilat do t’i falim njësoj, sikur vetë autori të jetë gjallë”, theksoi, Prof. Dr. Luljeta Isaku.

Referatin për jetën dhe veprën e shkrimtarit e paraqiti profesori i letërsisë shqiptare, Doc. Dr. Salajdin Salihu, i cili theksoi se nëpërmjet gjuhës, fjalës, Murat Isaku krijoi një kështjellë monumentale artistike, të ëndërrt e flatërore, duke përdorur shajni e makthe, hije e delire, dhembje dhe zhgënjime, tragjikë e groteskë. /Art Channel/