close
Vendi

SHKUP: REAGIME NDAJ INTERVISTËS SË AGJENTIT SERB

Screenshot_1

Tentim për të tërhequr vëmendjen e pranisë së tij në Kuvend


 

Nuk kanë pushuar reagimet pas intervistës së agjentit serb Goran Zhivaljeviq dhënë për mediat serbe. Ai ka qenë i pranishëm natën kritike të 27 Prillit në Kuvendin e Maqedonisë dhe në këtë intervistë ka drejtuar akuza ndaj disa pjesëmarrësve, madje se kanë patur detyrë për të vrarë liderin e atëhershëm të opozitës Zoran Zaev. Janë kundërpërgjigjur edhe personat e apostrofuar në këtë ngjarje.

Agjenti serb Goran Zhivaljeviq në një intervistë për median serbe ka theksuar se me qëllim që të tërhiqet vëmendja nga provokuesit e vërtetë, atë natë në kuvend ka qenë edhe personi Igor Jug i cili ka patur të veshur një fanellë me mbishkrimin Forcat Çlirimtare Kroate. Zhivaljeviq ka theksuar se prania e tij në Kuvend është shfrytëzuar që të tërhiqet vëmendja nga organizatorët e sulmit.

“Në fotografitë e atyre njerëzve që hyjnë me maska dhe e rrahin Zaevin, ka një njeri me emblemën e Forcave të armatosura kroate, Igor Jug, dhe nëse me kujdes e shihni inçizimin, shihet se ai gjatë gjithë kohës e mban dorën pas shpine. Sipas disa inforemacioneve ky ishte njeriu që duhej ta vriste Zaevin”.

Ndërkohë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe Igor Jug, i apostrofuar nga agjenti serb si personi që duhej ta vriste Zaevin, të enjten e përgjakshme të 27 Prillit. Ai shkruan se në këtë mision agjenti serb ka tentuar që të shpërlajë veten dhe praninë e tij në Kuvend ta paraqet si diçka normale, duke më bërë mua vrasës me pagesë. Ai publikisht i ka parashtruar disa pyetje Goran Zhivaljeviqit, se nëse dëshironte ta vriste kush do ta ndalonte dhe përse nuk ka qenë i maskuar nëse pretendon se është vrasës profesionist. Jug i ka sugjeruar Zhivaljeviqit që nëse dëshiron ta mbulojë praninë e tij në Kuvend atë natë do të jetë më kreativ dhe të ketë kujdes në detajet.

Agjenti serb Zhivaljeviq ishte në Kuvend gjatë sulmit të 27 Prillit, duke theksuar se ka qenë aty i ngarkuar me punë dhe me leje nga Kabineti i presidentit Ivanov. Të njëtën gjë e ka theksuar edhe presidenti serb Vuçiq, pas tërheqjes së shkurtë të personelit të ambasadës serbe nga Shkupi. Ndryshe edhe pesë muaj pas sulmit të përgjakshëm, nuk është arrestuar asnjë nga organizatorët e sulmit, kurse ka patur vetëm arrestime dhe kallëzime penale për një pjesë të pjesëmarrësve të cilët procesuohen me kualifikime më të lehta juridike. /Art Channel/