close
Top LajmeVendi

SHKUP: PROTESTË PËR KËRCËNIMET NDAJ GAZETARËVE

Screenshot_6

Qeveria të ndërmerr masa


Gazetarë të më shumë mediave u mblodhën para selisë së Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për të protestuar kundër kërcënimeve ndaj Naser Selmanit, kryetar i kësaj shoqate gazetarësh. Protesta ka nisur para objektit të SHGM-së dhe ka përfunduar para objektit të Qeverisë së Maqedonisë.

Tamara Çaushidis, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Medial deklaroi se sindikata nuk pranon dënime verbale nga Qeveria, pasi që e njëjta duhet të veprojë dhe ta sqarojë tërë rastin.

“Erdhëm këtu që të protestojmë për shkak të kërcënimeve nga përfaqësuesit e partisë që është në qeveri ndaj kolegut tonë të SHGM-së, Naser Selmanin. Për kolegun tonë kërkojmë siguri policore sepse ai ka një meritë të konsiderueshme për sulmet e mëhershme ndaj kolegëve të ne. Kërkojmë nga prokuroria që të ndërmarrë masa për të siguruar mbrojtje ndaj Selmanit, sepse kjo është një drejtësi selektive. Neve na duhen vepra, e jo kumtesa, tha Tamara nga SHGM-ja.

Ndërkaq kryetari i SHGM-së, njëherit dhe i kërcënuari, Naser Selmani tha se kjo protestë nuk bëhet vetëm se ai u sulmua, por sepse gota u mbush. Me këtë rast Selmani bëri thirrje që të ketë vepra, e jo fjalë se i dënoni sulmet ndaj gazetarëve, gjithnjë duke u thirr në Qeverinë e Maqedonisë dhe Prokurorinë Publike.

Para protestuesve doli edhe ministri për Transparencë, Robert Poposki, i cili duke theksuar se qeveria e Maqedonisë nuk është institucioni i vetëm që mund të sigurojë mbrojtje për gazetarët, motivoi këta të fundit që të informojnë me kohë për të gjitha sulmet dhe kërcënimet

“Gazetarët kanë për detyrë ta kryejnë detyrën e vet, Qeveria nuk është i vetmi institucion që duhet të kryejë këtë detyrë, sepse ne nuk jemi të vetmit që mund të sigurojmë mbrojtje. Nga sot ju motivojmë që të informohemi dhe të ndërmarrim masat në kohë. Rasti i Selmanit është tashmë duke u ndjekur nga prokuroria, dhe besoj se nga atje do të marrin masat e duhura”, tha ministri për transparencë, Robert Poposki.

Njëkohësisht edhe Zëvendës-kryeministri, Bujar Osmani e dënoi sjelljen e Asanit dhe tha se as ai, as qeveria nuk do të mbrojnë askënd.

“Vullneti ynë është që të krijojmë kornizë ligjore që gazetarët të mund ta kryejnë lirisht punën e tyre dhe vullnet politik që të dënojmë çdo kërcënim si dhe t’ju ndihmojmë gazetarëve në zhvillimin e detyrave të tyre. Këtë e bëjmë dhe nuk ka mbrojtje ku janë përfshirë përfaqësues të lartë të partisë politike, kështu që nuk kemi dilemë në këtë pjesë”, tha Osmani.

Kërcënimet vijnë pasi që, ditë më parë, gazetari Selmani në rrjetet sociale ka shkruar për rastin me sulmin verbal të Bekir Asanit ndaj polices që deshi t’ia marrë veturën me merimangë për shkak se e kishte parkuar në vend të gabuar. /Art Channel/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia