close
Top LajmeVendi

SHITËSIT AMBULANTË: MES LIGJIT DHE MBIJETESËS

teuta 1

Komuna:  Shuma simbolike


Edhe përkundër aksionit për largimin e shitësve ambulantë nga rrugët dhe trotuaret, të njejtit nuk e kanë respektuar këtë vendim. Sipas tyre, me anë të kësaj veprimtarie ato mbajnë familjen dhe se e kanë të vetmin burim financimi për mbijetesë. Nga ana tjetër, nga komuna deklarojnë se për ushtrimin e kësaj veprimtarie, ka vende të lira në tregun e gjelbërt dhe se shuma për ta fituar të drejtën e ushtrimit të këtij biznesi është simbolike.

Shitësit ambulantë jashtë fokusit të kamerës, shprehen se fitimet janë mjaftë më të ulta sesa pagesa që duhet të bëjnë për të marrë lejen për të ushtruar këtë veprimtari. Të njëjtët poashtu shprehen se edhe përkundër urdhërit për t’u larguar nga rrugët dhe trotuaret, nuk mund të largohen për shkak se nga ky biznes i vogël mbajnë familjet dhe se nuk kanë të ardhura të tjera.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu deklaroi se komuna, në kornizën formale juridike nuk ka asnjë obligim ligjor kundrejt shitësve ambulantë. Por, sipas tij, të njëjtëve, Ndërmarrja Publike Komunale Tetova, për ushtrimin e kësaj veprimtarie ju siguron vende të lira në tregun e gjelbërt, siç thotë ai, me një pagesë simbolike.

‘Me vetë faktin që fjalia fillon me shitës ambulantë, në kornizën formale juridike komuna nuk ndjen ndonjë obligim ligjor ndaj këtyre për shkak se këta nuk janë subjekte juridike të regjistruara, me të cilën komuna të obligohet, mirëpo, në këndvështrimin moral sigurisht që komuna si institucion i qytetarëve, si institucion i vetëqeverisjes lokale obligohet. Për ata shitës ambulantë, Ndërmarrja Publike Komunale Tetova, ka vende të lira në tregun e gjelbërt, në qoftëse merren me atë lloj veprimtarie, ka vende të lira në tregun e gjelbërt të cilat janë atraktive, me një shumë simbolike, mund të sistemohen në një vend brenda tregut të gjelbërt dhe ata të aplikojnë tek ndërmarrja publike e cila është e gatshme që t’ua ofrojë ato shërbime.’

Ndërkaq,  edhe kohë më parë Inspektorati komunal i komunës së Tetovës në bashkëpunim me Sektorin për punë të brendshme në Tetovë, filluan aksion të përbashkët për largimin e shitësve ambulant të cilët ushtrojnë veprimtari të paligjshme në pjesën qëndrore të qytetit me qëllim që trotuaret dhe hapësirat publike të kthehen në funksion të qarkullimit të lirshëm të këmbësorëve, kurse vepritmaria ekonomike e shitësve ambulant të bëhet në pajtueshmëri me ligjin dhe në vendet e parapara për këtë aktivitet. Përndryshe, Ligji për Tregti, e rregullon ku dhe si mund të kryhet shitja e produkteve dhe mallrave. Sipas nenit 16 të ligjit në fjalë, shitja e mallrave në kioska, makina shitëse dhe shitjet në rrugë mund të bëhen vetëm në vendet e përcaktuara me vendim të këshillit të komunës ose të qytetit. Tregtia kryhet në kushte të përcaktuara me ligj dhe me rregullore të tjera, në raste të tjera kur shitjet bëhen pa regjistrime përkatëse veprimtaritë e tilla sanksionohen me ligj. /B. J. /