close
Showbiz

ROLLING STONES: KONCERT HISTORIK NË KUBË

Rolling Stones ka dridhur Havanën. Rock-grupi britanik ka performuar para dhjetëra-mijëra njerëzve në kryeqytetin e Kubës, ku muzika e tij ka qenë e ndaluar për disa dekada.

“Në karrierën tonë të gjatë ne kemi mbajtur koncerte në shumë vende të veçanta, por kjo shfaqje në Havanë do të jetë një moment historik për ne, dhe shpresoj, edhe për të gjithë miqtë tanë në Kubë”, – bëri të ditur grupi muzikor në një deklaratë.

Koncerti është zhvilluar pak ditë pas vizitës historike të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në Kubë.

Mick Jagger( mik xheger)  ka mirëpritur fansat në gjuhën spanjolle, përpara se të niste performancën me hitin e vitit 1968 Jumpin’ Jack Flash.

Rolling Stones ka qenë i ndaluar në ishullin komunist, pasi muzika e tij është konsideruar si armiqësore. Koncerti i grupit legjendar ka qenë falas.

Sipas mediave në Kubë, mbi 500,000 veta e kanë ndjekur atë.

“The Rolling Stones” u formuan në Londër në 1962. Në atë kohë regjimi i Fidel Castros e bënte të pamundur rebelimin me këngët e tyre apo flokët e tyre të gjatë, ndërsa këngët e Rolling Stones apo Beatles nuk lejoheshin të dëgjoheshin as në Radio dhe as në Televizion.

Por për ironi të fatit, gjysmë shekulli më vonë, edhe Rolling Stones edhe udhëheqësit e Kubës, ndanin të njëjtat emocione, gjatë këtij koncerti./Agjencitë e lajmeve/

 

Art Channel

The author Art Channel