close
Rajoni

PRISHTINË: PAHOR I DREJTOHET KUVENDIT TË KOSOVËS

“Respektoni marrëveshjet, është rrugë për në BE”


Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor i është drejtuar me një fjalim Kuvendit të Kosovës, ku ka inkurajuar deputetët që t’i miratojnë marrëveshjet, përfshirë edhe Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Pahor tha se po viziton Prishtinën, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, për të “thelluar marrëdhëniet”, në mes të Sllovenisë dhe Kosovës.

Pahor tha se populli slloven dhe shqiptarët e Kosovës, kanë mbështetur njëri-tjetrin për pavarësinë e shteteve përkatëse. Ai tha se dy shtetet, e kanë për detyrë që të mbrojnë të drejtat e minoriteteve. Ai ka theksuar se duhet të fuqizohet bashkëpunimi dhe se është e rëndësishme të respektohen marrëveshjet dhe të vazhdohen bisedimet.

“Në Kosova kam ardhur si mik i kosovarëve dhe serbëve dhe nacionaliteteve të tjera që jetojnë këtu. Si mik i juaji ju inkurajoj që të vazhdoni bisedimet me Serbinë, por edhe të zbatoni marrëveshjet e arritura. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për të zgjidhur marrëveshjet, por edhe për stabilitetin politik për të gjithë rajonin. Ju jeni të vetëdijshëm për përkrahjen e Sllovenisë për të arritur paqe për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë Kosovën. Si një mik i juaji, ju inkurajoj që të mos hezitoni t’i miratoni marrëveshjet. Unë e di sesa e vështirë është e vështirë është për ju, për Parlamentin dhe Qeverinë, por nuk ka mënyrë tjetër nëse ne duam të arrijmë një stabilitet në këtë rajon”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e seancës solemne për nder të vizitës së presidentit të Sllovenisë në Kosovë, Borut Pahor, tha se vizita e presidentit Pahor në Kosovë është dëshmi e partneritetit dhe miqësisë që kanë ndërtuar dy shtetet. Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka nisur vizitën të hënën në Kosovë ku është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. /Agjencitë/

 

Art Channel

The author Art Channel