close
Rajoni

PRISHTINË: KRYEMINISTRI BULLGAR VIZITON KOSOVËN

Borisov: Kosova përfaqësohet në Samitin e Sofjes


Përfaqësimi i Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian në Sofje më 16 dhe 17 maj, ishte një nga temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Bullgarisë Boyko Borissov me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Kryeministri bullgar u prit në Prishtinë në takime të ndara nga presidenti Hashim Thaçi dhe më pas edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Borissov, tha se ka ftuar presidentin e Kosovës që më 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Samitin e BE-së, duke rikujtuar se Bullgaria e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta mbështesë atë në proceset integruese, sidomos tani kur është edhe kryesuese e radhës së presidencës së BE-së.

“Ne nuk japim këshilla e as nuk guxojmë të japim këshilla mirëpo nëqoftëse nuk nënshkruhen marrëveshje me Serbinë as Kosova as Beogradi nuk do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Prandaj ne duam që ju t’i zgjidhni problemet mes vete. Kryesorë është qe të mos shikojmë mbrapa, të shikojmë përpara dhe që në maj në Samitin e Sofjes tu themi liderëve që ja  popujt në Ballkan janë të vendosur. Kur jam në Beograd me miqtë e mi  gjithmonë e përmend shokun tonë Hashim Thaçi. Nuk keni alternativë, ju jeni të obliguar të zgjidhni problemet me Serbinë. Nuk duhet të kthehemi në të kaluarën. Shpresoj sinqerisht që midis Shkupit dhe Athinës të zgjedhin problemet. Ne me Maqedoninë dhamë shembullin e mirë. Ju jeni të detyruar bashkë me Serbët t’i zgjidhni mosmarrëveshjet atëherë Bashkimi Evropian do të shoh me sy tjetër pjesën tonë”.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi tha se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën të jenë pjesë e tij. Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Rusisë ka theksuar se Rusia duhet ta njeh pavarësinë e Kosovës për të ndihmuar Serbinë, kjo sipas tij e liron Beogradin nga një mit që e ka krijuar për Kosovën.

Borisov  u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit që t’i lënë anash egoizmat personale, ngase kjo sipas tij, është fatale për të ardhmen e këtyre shteteve. Borissov tha se Kosova dhe Serbia janë të obliguar të zgjidhin problemet e tyre. /Agjencitë/

Art Channel

The author Art Channel