close
Rajoni

PRISHTINË: 19 VJET NGA HYRJA E NATO-s NË KOSOVË

Memorial për ushtarët e KFOR-it


Sot bëhen 19 vjet që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në NATO si dhe daljen në ndihmë secilit që ka nevojë. Këto deklarata Haradinaj i ka bërë pas zbulimit të memorialit për ushtarët e KFOR-it që kanë humbur jetën në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që dhanë jetën për të siguruar paqe dhe stabilitet në këtë vend.

Zëvendësi i Ndihmës-sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm, ka falënderuar popullin e Kosovës, për ndërtimin e këtij memoriali në qendër të Prishtinës.“Siç e dini NATO ka udhëhequr misione paqeruajtëse që nga qershori 1999, pothuajse 19 vjet. KFOR-i ka dëshmuar efektivitetin e vet dhe është bërë organizata më e besueshme në Kosovë”, ka thënë Manza, duke shtuar se e ardhmja e Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se 12 qershori do të mbetet në historinë e Kosovës si dita e shpresës dhe dita kur vendit i është ofruar bindja se nuk është vetë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se para 19 vjetësh Kosova hyri në një epokë të re historike, të çlirimit dhe lirisë.

“Largimi i forcave ushtarake të Serbisë, hyrja e trupave të NATO-s, kthimi i popullatës së zhvendosur gjatë luftës shënuan hapat e parë të rindërtimit të Kosovës që për dy vjet përjetoi shkatërrime të mëdha materiale, krime, masakra, gjenocid dhe spastrim etnik”, tha Thaçi. Kosova është përjetë mirënjohëse për kontributin e shteteve të botës demokratike që në ditët më të vështira na ofruan përkrahje diplomatike, ushtarake, humanitare dhe materiale, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme deri më tani”, shtoi presidenti.

Memoriali është ngritur në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur nga viti 1999, kur NATO hyri në Kosovë. Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vjetët e fundit, kryesisht në aksidente. /Agjencitë/

Art Channel

The author Art Channel