close
Showbiz

PARIS: GRABITET KIM KARDASHIAN!

91495556_reuters_kim

Kim Kardashian ka përjetuar një prej momenteve më të vështira të jetës së saj, pasi është grabitur me armë. Pesë persona të armatosur e të maskuar si policë, hynë në dhomën e rezidencës luksoze në Paris, ku Kardashian po qëndron në kuadër të javës së modës në kryeqytetin francez.

Mediat e huaja raportojnë se ata e kanë lidhur dhe mbyllur në tualet, e më pas i kanë vjedhur sende me vlerë prej 16 milionë dollarësh, mes të cilave disa stoli dhe celularin.

Zëdhënësja e 35-vjeçares, Ina Treciokas, bën të ditur se gjithçka kishte ndodhur ndërsa Kim gjendej në një rezidencë luksoze të frekuentuar nga yjet në “Champs Elysees” në Paris, rreth orës tre të natës.

Pasi lidhën fillimisht rojen e natës, pesë agresorët hynë në dhomën ku po qëndronte Kardashian, duke e lidhur edhe atë, sipas mediave franceze, e duke e mbyllur më pas në tualet. Prokuroria franceze ka nisur hetimet. Bëhet e ditur se Kim, e cila shoqërohet në Paris nga nëna, motrat dhe dy fëmijët e saj, thuhet të jetë e tronditur nga ngjarja, por nuk ka pësuar dëmtime fizike. Fëmijët North dhe Saint, 3 vjeç dhe 6 muajsh, nuk gjendeshin në dhomë në momentin e plaçkitjes, e as bashkëshorti Kanye West. Ky i fundit ndërpreu menjëherë koncertin “Meadows Festival” në Nju Jork, për të qenë pranë gruas së tij.

Mediat raportojnë se prapa këtij krimi qëndron banda Pink Panther, e cila është aktive që nga viti 1984, ndërsa deri më tani kanë vjedhur stoli në vlerë prej qindra miliona euro. Kim Kardashian thuhet se është viktima më e re e bandës së hajnave serbë, të njohur si Pink Panther./Agjencitë/