close
Rajoni

MEDIAT SERBE: VUÇIQ REFUZON “PAKON AMERIKANE”

Dialogu: LDK nuk përkrah Platformën e Qeverisë


Gazeta e Beogradit “Veçernje novosti” shkruan se kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka refuzuar pakon amerikane për Kosovën. Sipas kësaj gazete, meqë kryetari serb e ka vlerësuar të padinjitetshme dhe të papranueshme për Serbinë, ai nuk ka dashur ta njoftojë opinionin me dokumentin e punës rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës i njohur si “pakoja amerikane”.

Kosovës dhe Serbisë, në katër shtylla u është paraqitur marrëveshja historike:1. Asociacioni i Komunave serbe bëhet me kompetenca të gjëra dhe me kompetenca të shtuar në fushën e shëndetësisë, arsimit e kulturës.2. AKS do të jetë ngushtë e lidhur me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb.3. Nga Beogradi pritet t’i mundësojë Kosovës hyrjen në organizata ndërkombëtare, para së gjitha në OKB.4. Nëse pala serbe pranon këtë pako, Serbisë do t’i mundësohej hyrja në BE, e SHBA-ja do t’i garantonte asaj përkrahje ekonomike e diplomatike në arenën ndërkombëtare. Pra, siç shkruan “NovostI”, “nga Serbia, shtetet perëndimore presin që për këmbim me formimin e Asociacionit të Komunave serbe të mos bllokohet anëtarësimi i Kosovës në OKB. Kjo për palën serbe është absolutisht e papranueshme dhe shefi i shtetit serb nuk e ka marrë në shqyrtim këtë ofertë”.

Ndërkaq, Subjekti më i madh në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikatë për media, ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë platformën e prezantuar nga Qeveria për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. /Art Channel/

 

Art Channel

The author Art Channel