close
Vendi

LIRIA E MEDIAVE: PËRPLASJE VMRO-LSDM

Akuza e kundërakuza për lirinë e shprehjes


Pas protestës së djeshme të gazetarëve para Qeverisë së Maqedonisë, VMRO-DPMNE-ja edhe sot përmes komunikatave ka vazhduar të akuzojë LSDM-në për presione ndaj gazetarwve dhe pwr ngulfatjen e lirisë së shprehjes. Nga LSDM-ja thonë se ka filluar procesi i lirimit të institucioneve, ku për sfida të mëdha, dëgjohet edhe zëri i gazetarëve.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar qeverinë se me censurë të përditshme, kërcënime dhe presione ndaj mediave po e ngulfat lirinë e mediave.

“LSDM-ja premtonte liri, kurse solli heshtjen e mediave. Shqiptohen dënime me burg për qëndrim të shprehur, censurohen emisione, kurse funksionarë shtetëror ofendojnë dhe frikësojnë gazetarët. Pushteti i LSDM-së deklarativisht angazhohet për demokraci, por në realitet s`ka asgjë prej kësaj. Shkelen të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë pa mos bartur përgjegjësi askush për këtë”

Kanë reaguar nga LSDM-ja duke theksuar se ka filluar procesi i lirimit të shoqërisë dhe se qeveria garanton lirinë e shprehjes, duke shtuar se VMRO-DPMNE-ja nuk ka kredibilitet të flasë për lirinë e mediave, për shkak se, sic thuhet në reagim, gjatë kohës së sunidmit të tyre , fjalën kryesore e kishte propaganda.

“Ligjet vlejnë për të gjithë njësoj, kurse institucionet punojnë në mënyrë të pavarur, profesionale në interes të qytetarëve, të liruar nga presionet partiake. Çdokush që do ta shkelë ligjin do të përgjigjet për veprimet. Ende ekzistojnë sfida, por dëgjohet zëri I qytetarëve, i gazetarëve dhe ndërmerren masa institucionale për tejkalimin e tyre”. /Art Channel/

 

 

Art Channel

The author Art Channel