close
Kulture

KUMANOVË: TAKIMET POETIKE TË KARADAKUT

Promovime dhe botimi i monografisë


 

Në pjesën e parë të edicionit të 26-të të Takimeve poetike të Karadakut , në Kumanovë, u bë promovimi i botimeve të fundit të klubit të shkrimtarëve të Kumanovës , përkatësisht: monografia: “Klubi i Shkrimtarëve JEHONA Е KARADAKUT – Një çerekshekull”; Revista “Doruntina” nr.52/53; “Rrethi që pret përjetësinë” – roman i Bejtush Memetit; “Psherëtima të pakënduara” – përmbledhje poetike nga Arben Ibrahimi, dhe “Kurorë” nga Fatos Rushiti.

Kryetari i klubit dhe një nga përpiluesit e monografisë, Sevdail Demiri, tha se shpresojmë që me këtë botim kemi hedhur një hap drejt arkivimit të një veprimtarie të rëndësishme çerekshekullore të sferës së kulturës kumanovare dhe mbarëshqiptare.

“Tani jemi pak më të qetë, kur e dimë që një pjesë e madhe e kujtesës sonë, ruhet brenda këtyre kopertinave, dhe do t’u mbetet një trashëgimi e pasur gjeneratave të ardhshme të cilat shpresojmë se edhe më tutje do ti avancojnë këto procese”, tha Sevdail Demiri.

Rreth botimeve tjera, përpos autorëve, folën edhe recensentët Burhanedin Xhemaili, Bejtush Memeti, Kalosh Çeliku e Arben Ibrahimi, të cilët vlerësuan lartë arritjet estetike në këto vepra të letërsisë bashkëkohore.   Gjatë mbrëmjes, në Likovë u mbajt Ora e madhe letrare në kuadër të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2018”. Fillimisht këtë festival të  poezisë  e përshëndetën Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi dhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri.

“Ne bëjmë një histori kulturore duke i respektuar të gjithë poetët dhe autorët që manifestojnë kulturën tonë shqiptare “ tha kryetari i Likovës Rekan Arifi.

“Pa dyshim është një ndjesi për të gjithë ne që jemi pjesë e kësaj feste kulturore e letrare , në kujtimin dhe nderimin e djersës dhe sakrificës së rinisë studentore shqiptare të vitit 1981 dhe në nderim të të gjithë atyre brezave që dhanë shumë mund , djersë e gjak e deri në brezin e 2001 për një jetë më të mirë të gjithëve” ,tha sekretari shtetëror në Ministrinë e kulturës, Valmir Aziri.

Në vazhdim me poezitë e tyre konkuruese u prezantuan mbi 40 poetë, kurse juria e manifestimit ndau tre çmimet për poezitë më të mira edhe atë Vendi i parë poetes nga Fieri i Shqipërisë Majlinda Nana-Rama, vendi i dytë poetit nga Kosova, Fehmi Ajvazi, dhe vendi i tretë poetit nga Kumanova, Nazmi Beqiri. /Art Channel/

Art Channel

The author Art Channel