close
Top LajmeVendi

KOALICIONI QEVERITAR: IBRAIMI- TË KETË QEVERI STABILE

Screenshot_6

Nuk do të kemi opozitë të fuqishme


Zgjerimi i koalicionit qeveritar dhe përfshirja në të e Lëvizjes Besa, PDSH dhe Lidhjes së Romëve, sipas analistit politik Selim Ibraimi tregon se këto parti pajtohen me programin qeveritar të Zoran Zaevit. Nga ana tjetër, ai thekson se për fat të keq, tanimë nuk do të kemi një opozitë të fuqishme politike, por ngelet që ASH dhe pjesa tjetër e BESA-s, ta vazhdojnë luftën politike.

Kryeministri Zoran Zaev  konfirmoi zgjerimin e koalicionit qeveritar me Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen BESA dhe me Lidhjen e Romëve të drejtuar nga Amdi Bajrami. Sipas analistit politik, Selim Ibrahimi, kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar, sepse janë tre muaj që po zhvillohen negociatat dhe tani u finalizuan të njejtat. Ai shton se qëllimi është që të ketë një qeveri stabile, për votimin e ligjeve të cilat kërkojnë mbi 70 vota.

‘Me këtë shumicë të re parlamentare, në fakt partitë politike shqiptare pajtohen me programin qeveritar të Zoran Zaevit, qoftë të ndonjë referendum të mundshëm ose të ndonjë votimi në parlament përsa i përket zgjidhjes së emrit. Pra, tani Zaevi i redukton këto kërkesa dhe në këtë formë ai arrin të krijojë një stabilitet të përhershëm qeveritar në Maqedoni.

Ndërkaq, i pyetur rreth opozitës, Ibraimi thekson se nuk do të kemi një opozitë të fuqishme e cila do ta ‘godasë’ qeverinë.

‘Për fat të keq, tanimë nuk do të kemi një opozitë të fuqishme politike. Ngelet që ASH dhe pjesa tjetër e BESA-s, e Bilall Kasamit ta vazhdojnë luftën politike, ta godasin qeverinë me tema të karakterit politik, ekonomik, social, që në zgjedhjet e ardhshme të arrijnë një numër të konsiderueshëm deputetësh që të jenë një grup parlamentar i fuqishëm.’

Përndryshe, Lëvizja Besa do të marrë ministrinë e Kulturës, ndërsa PDSH një ministri pa portofol që do të merret me çështjen e investimeve të huaja. Këtë post do ta drejtojë Bardhyl Dauti, i cili ishte deputet për disa muaj në përbërjen e fundit parlamentare prej nga u largua për të garuar në zgjedhjet lokale për kreun e Tetovës në tetor të 2017-ës. PDSH-ja do të ketë edhe një post të zëvendës-ministrit të Transportit. Në qeverinë e kryeminstrit Zoran Zaev do të hyjë edhe partia rome e Amdi Bajramit, e cila për shumë vite ishte partnere qeveritare me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Por, partisë së tij do t’i ndahen vetëm vende drejtorësh të agjensive dhe ndërmarrjeve shtetërore. /Blerona Jakupi/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia