close
Top LajmeVendi

EUROINTEGRIMET: CANI- QEVERIA E RE ME HAPA POZITIVE

“Gjermania mbetet e fokusuar në Ballkanin Perëndimor’


 

Bahri Cani – gazetari i njohur i Redaksisë shqipe të Dojche Veles në një prononcim për Art Channel ka komentuar zhvillimet politike në Maqedoni dhe mënyrën se si trajtohet Ballkani Perëndimor në politikën e jashtme gjermane. Ai ka nënvizuar se pavarësisht ndryshimeve që pritet të ndodhin në kabinetin qeveritar gjerman, Berlini nuk do të ndryshojë qasjen ndaj këtij rajoni.

Maqedonia ka qenë një nxënës shembullor, para shumë vitesh, kur ka filluar të bashkohet me BE-në, por në dhjetë vitet e fundit ka shënuar një stagnim të jashtëzakonshëm – shprehet gazetari i Dojche Veles Bahri Cani, i pyetur lidhur me perspektivën evropiane të Maqedonisë, si njohës i politikës së jashtme të Berlinit, por edhe të Brukselit, Cani thotë se qeveria e re e Maqedonisë ka bërë disa hapa të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur nga Brukseli e sidomos nga Berlini.

Bahri Cani nga DW thotë se ngjarjet në Maqedoni janë ndjekur me shumë vëmendje në mediat gjermane dhe informacionet që kanë ardhur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë qenë më të klikuara në rrjetet sociale.

Lidhur me ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar të kancelares Merkel, që së shpejti pritet të miratohen dhe për mundësitë që këto ndryshime të kenë implikime në politikën e jashtme gjermane karshi Ballkanit Perëndimor, Cani thotë se politika e jashtme gjermane nuk ndikohet nga ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Duke ndjekur zhvillimet në Berlin, Bruksel dhe qendra tjera të vendosjes, Dojche Vele në Gjuhën Shqipe vazhdon të mbetet një burim informimi që me qasjen profesionale ndaj standardeve të gazetarisë, po fiton simpati të mëdha në mesin e shqiptarëve në rajon. Bahri Cani thotë se edhe në të ardhmen, informimi i drejtë dhe i saktë i opinionit do të jetë sfidë kryesore për këtë redaksi. /Art Channel/

 

Art Channel

The author Art Channel