close
Rajoni

DEMARKACIONI: RATIFIKIMI BRENDA JAVËS

auto_vv1520194379

“Të përmbyllet çështja ose zgjedhje të reja”


 Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi , sipas njohësve të çështjeve politike vlerësohet të jetë jetik për Qeverinë Haradinaj. Kjo çështje, thonë ata, duhet të përmbyllet sa më shpejt, në të kundërtën të shkohet në zgjedhje të reja.Zgjedhje kërkon edhe LDK-ja, ndërsa nga politika kosovare vijnë zëra se këtë javë përfundimisht do të votohet demarkacioni.

Marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ratifikohet gjatë kësaj jave, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli. Megjithatë, ai nuk ka sqaruar nëse për ratifikimin e kësaj marrëveshje është arritur ndonjë pajtim me partneren e koalicionit qeverisës, Listën Serbe. Kjo e fundit, më herët ka thënë se çështja e Demarkacionit nuk ekziston për këtë subjekt dhe për të nuk paraqet kurrëfarë interesi. Këto komente, Zëvendës Kryeministri i Kosovës Bexhet Pacolli, i bëri pas takimit me homologun e tij slloven Karl Erjavec.

Edhe Zëvendës-kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, në një prononcim është shprehur i bindur se seanca për demarkacionin do të mbahet këtë javë. Madje Hoxhaj thotë se edhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetin serb do të votojnë pro kësaj marrëveshjeje.

Nga ana tjetër Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që marrëveshja e demarkacionit të votohet sa më parë sepse është çështje e rëndësishme për qytetarët. Hoti ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij, tjetër rrugë nuk ka.

Koalicioni qeverisës në tri seanca parlamentare nuk kishte arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për ta ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

 

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia