close
Vendi

ÇËSHTJA E EMRIT: TAKIMET NE VJENË NË FOKUSIN E MEDIAVE GREKE

133969904-480×320

Butaris: Të mendohet për riemërimin e aeroportit të Selanikut


 

Takimi i djeshëm bilateral i shefave të diplomacive të Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe i sotmi së bashku me ndërmjetësuesin Nimic, u gjetën në fokusin e mediave greke, ndërsa çështja me emrin, sërish, u ngjit lart në agjendën e gazetarëve grek. Mediat, për takimet në Vjenë thonë se janë “të papritura” edhe për “intensifikimin e bisedave për emrin”.

Siç njoftohet nga Athina, një pjesë e mediave në Greqi komentojnë se project-marrëveshja e palës greke është e gatshme dhe do të prezantohet në Vjenë, ndërsa një pjesë, ashtu siç publikoi dje MIA, se ende punohet në të, ndërsa Koxias, Dimitrovit do t’ia prezantojë në Shkup gjatë udhëtimit me fluturim direkt nga Athina, menjëherë pasi që edhe në praktikë u ndryshua emri i aeroportit të Shkupit. Koxias, duke folur për TV ERT para dy javëve, tha se project-marrëveshja do të jetë gati nga mesi i shkurtit.

“Katimerini” shkruan se kontaktet e konfirmojnë intensifikimin e negociatave, ndërsa sipas burimeve diplomatike të gazetës, në javët në vijim plotësisht do të thellohen këto kontakte dhe takime. Më 15 dhe 16 shkurt në Sofje do të mbahet mbledhje joformale e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në të cilën do të marrin pjesë edhe dy ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe të Greqisë.

Edhe krahas asaj që mediat greke ditëve të fundit paralajmëruan se Dimitrov dhe Koxias do të takohen në kryeqytetin bullgar, megjithatë, për këtë nuk ekziston konfirmim zyrtar. Është e qartë se në varësi të asaj se si do të lëvizin bisedat në Vjenë, do të caktohen edhe hapat në vijim. Mediat greke, në tekstet e tyre, e përmendin edhe vizitën e Zoran Zaevit në Turqi dhe takimet që kryeministri i Maqedonisë i kishte me kreun shtetëror turk.

Nga ana tjetër Kryetari i qytetit të Selanikut Janis Butaris ka deklaruar se duhet të mendohet për ndryshimin e emrit të aeroportit të Selanikut që mban emrin Maqedonia. Sipas tij, aeroporti mund të mbajë emrin e basketbollsitit të njohur grek Nikos Galis. Si shkak plotësues për riemërimin e aeroportit, siç ka thënë kryebashkiaku i Selanikut, është se turistët kur aterojnë në Selanik mendojnë se vijnë në Shkup. /Art Channel/

 

 

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia