close
Top LajmeVendi

ÇËSHTJA E EMRIT: HAN I BINDUR SE MUND TË GJENDET ZGJIDHJE

johanes-han-480×270

Katrugalos: Ndryshimi i Kushtetutës parakusht që të arrihet zgjidhje


Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han në një intervistë për gazetën greke “Te nea”, ka shprehur bindje se mund të arrihet zgjidhje mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin rreth emrit të Maqedonisë. Ndërkaq, Katrugalos ka theksuar se “Erga omnes” dhe ndryshimi i Kushtetutës janë parakusht që të arrihet zgjidhje për çështjen e emrit.

Sipas Eurokomisarit për Zgjerim, Johanes Han Samiti në Sofje nuk do të jetë pika vendimtare për atë se a do të ketë zgjidhje, por ajo që është e rëndësishme është kualiteti i marrëveshjes.

“Nëse është e mundur në Sofje, do të jetë edhe më mirë. Por më e rëndësishme është vendosmëria e të dy liderëve që të arrijnë kompromis të pranueshëm për të dy palët. Zgjidhja e problemit nuk është vetëm në të mirë të Maqedonisë, por për të gjithë rajonin”, theksoi Han.

Ai theksoi se në Samitin e Sofjes, edhe një herë do të konfirmohet perspektiva evropiane e vendeve të rajonit dhe do të ketë projekte konkrete.

Ndërkaq, ministri alternativ për Punë të Jashtme i Greqisë, Jorgos Katrugalos, në një intervistë për agjencin greke të lajmeve “Praktorioi FM” ka theksuar se dy çështje të cilat mbeten për t’u zgjidhur janë “erga omnes” dhe ndryshime Kushtetuese, dhe këto janë të një rëndësie të veçantë për Greqinë, pala tjetër duhet të bëjë lëshime.

“Bëhet fjalë për çështje të cilat nuk janë edhe të vogla, për të cilat Shkupi, për momentin po insiston. Topi tani është në anën e Shkupit”, thotë Katrugalos, duke shtuar se këto dy çështje për Greqinë janë të një rëndësie të veçantë dhe parakusht që të arrihet ndonjë marrëveshje eventuale. Shefi alternativ i diplomacisë greke edhe njëherë e ka ripërsëritur qëndrimin e tij se “erga omnes” është nevojë që të mos lihet çështje të pazgjidhura edhe në të ardhmen. /Art Channel/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia