close

Kulture

Kulture

TETOVË: SHKËLZEN DOLI MAHNITI PUBLIKUN TETOVAR

Shkelzen-doli

Fillim i mbarë e Festivalit “Tetova Feston Nëntorin”


 

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, shoqata Alegretto organizoi koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filharmonisë së Vjenës, SHKËLZEN DOLI dhe orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës. Ishte hera e dytë që Magjia e violinës së Shkëlzen Dolit pushtoi Tetovën.

Edicioni i 5-të i festivalit Tetova Feston Nëntorin filloi me edicionin e 5-të dhe jubilar të festivalit Skena e Muzikës Serioze Shqiptare të organizuar nga shoqata Alegretto, e cila para publikut tetovar solli spektaklin e muzikës, të interpretuar nga Maestro Shkëlzen Doli dhe orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar. Maestro Shkëlzen Doli në një prononcim ekskluziv për ArtChannel shprehet se ishte një kënaqësi performimi para publikut tetovar.

Një orë e stërmbushur përplot emocion artistik, dhe një interpretim pak sa ndyshe i perlave të muzikës së popullarizuar shqiptare, solli magjinë e interpretimit virtuoz dhe ktheu falenderimin me ovacione nga publiku artdashës tetovar.

Skena kulturore tetovare tash më është një arenë e dëshmuar e vlerave të mirëfillta, ku shumë artistë kanë gjetur shtëpinë e tyre. Për festat e Nëntorit priten edhe manifestime të shumëllojshme kulturore. /Art Channel/

 

read more
KultureVideo

TETOVË: FILLOI FESTIVALI ‘DITËT E NAIMIT’

25 poetë pjesëmarrës nga bota


Me pjesëmarrjen e mbi 25 poetëve nga vende të ndryshme të botës, u hap mbrëmë në Tetovë Festivali Ndërkombëtar i Poezisë Ditët e Naimit. Drejtorit i Festivalit “Ditët e Naimit” Shaip Emerllahu, deklaroi se hapja e festivalit u bë me vendosjen e kurorave me lule në shtatoren e shkrimtarit të madh Naim Frashëri.

Laureati i sivjetëm u zgjodh Xhorxh Uallas nga SHBA-ja, por të pranishëm ishin edhe poetë nga Portoriko, Argjentina, Franca, Danimarka, Belgjika, Gjermania etj. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të zgjasë deri më 22 tetor, dhe është festival që mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkësia e Pogradecit. /B. J. /

 

read more
KultureVideo

DURRËS: FILLOI FESTIVALI NDËRKOMBËTAR “FESTË LOJA  2017”

Moto e fstivalit “Miqësa e së sotmes, paqja e së nesërmes”


Në qytetin bregdetar të Durrësit sot në mënyrë solemne filloi edicioni i 20-të Festivali ndërkombëtar Folklorik për fëmijë “Festë Loja 2017” që organizohet nga Qenbdra Kulturore e Fëmijëve në Durrës. Kësaj radhe kishte ansamble të fëmijëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Kyrgistani, Rumania, Bosnjë Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi. Festivalin të hapur e Shpalli, drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit, zotëri Avni Çuni i cili tha se Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, kurorëzon këtë vit mësimor, 70 vjetorin e hapjes së saj.

“Ky instiucion nga më të rëndësishmit në zbulimin, zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja të qytetit, punën e vazhdueshme  të prezantimit të kultures qytetare, krijimin e urave lidhëse në organizimin e aktiviteteve mes shkollave të qytetit, fshatit dhe rretheve të tjera të vendit, realizimin e një sere binjakëzimesh në Ballkan e më gjerë, por veçanërisht mes trojeve shqiptare, fatmirësisht ka sot të pasqyruar veprimtarinë e saj tre-çerek shekullore në kronologjinë kohore të zhvillimit të tërësisë së pafund të këtij zhvillimi kulturor që është mundësuar nga puna e pandërprerë e këtij insitucioni ndër vite” – tha Avni Çuni , drejtor i QKF Durrës.

Në ditën e pare preformuan 28 grupe nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në mesin e të cilave edhe Shoqëria Kulturo Artistike “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Përfaqësuesit e amsambleve u pritën edhe nga Bashkia e Durrësit. Për të ndjekur këtë manifestim ndërkombëtar të Folklorit në Durrës e pranishme është edhe ART Channel.  /SH. S. /

 

read more
Kulture

TETOVË: NESËR FILLON FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I FILMIT

oda-480×255

Do të shfaqen filma nga vende dhe artistë të ndryshëm


 

Edicioni VI i Festivalit Ndërkombëtar të filmit në Tetovë – ODA do të mbahet nesër në TetovëCeremonia e hapjes bëhet nesër në orën 20:00 me shfaqjen e filmit “Hunting Flies” drejtuar nga Izer Aliu, film i prodhuar nga prodhimi norvegjez dhe i realizuar në Maqedoni.

Qëllimi i këtij festivali është qasja e të gjithë artistëve të filmave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve, prezantimit të veprave kulturore, etj. Brenda kësaj jave të festivalit do të shfaqen filma nga vende dhe artistë të ndryshëm. /Art Channel/

 

read more
Kulture

SOT FILLON EUROSONG 2017, LINDA HALIMI PËRFAQËSON SHQIPËRINË

Lindita2

Vëmendja e artëdashësve shqiptarë është mbërthyer sot në Kiev të Ukrainës ku do të mbahet nata e parë gjysëmfinale e Festivalit Europian të Këngës, Eurosong 2017. Shqipëria përfaqësohet me këngëtaren Lindita Halimi me këngën “Botë”, me të cilën ajo u shpall fituese e Festivalit të 55 të këngës në RTSH. Krijuesit e saj janë muzikantët Klodian Qafoku dhe Big Basta.
Sipas shortit këngëtarja shqiptare do të këndojë e katërta në natën e parë, në këtë sfidë të parë në karrierën e saj artistike në një aktivitet të këtyre përmasave.
Organizatorët shqiptarë të kësaj ngjarjeje ju bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodhen në shtetet pjesëmarrëse të natës së parë si: Suedi, Gjerogji, Australi, Belgjikë, Mal i Zi, Finlandë, Azerbaixhan, Portugali, Greqi, Poloni, Moldavi, Islandë, Republikë Çeke, Armeni, Qipro, Slloveni e Letoni, të votojnë këngën shqiptare performuar nga Lindita Halimi në kodin me numër 4. Pas performancave, dërgoni me sms numrin 4 në numrin e përcaktuar nga secili shtet. VOTE 4-ALBANIA! Me thirrjen për të mbështetur Shqipërinë dhe Lindita Halimin, është bashkuar sot nëpërmjet Fejsbukut edhe kryeministri Edi Rama, duke postuar edhe këngën e saj
Ky ështe edicioni i dytë i Eurosongut që organizohet në Ukrainë, pas atij të vitit 2004. Ka qënë pikërisht ky vit kur Shqipëria shënoi pjesëmarrjen e parë në Festivalin më të madh të muzikës së lehtë në Europë me këngëtaren Anjeza Shahin dhe këngën “Imazhi yt”, një krijim i kompozitorit Edmond Zhulali dhe poetit Agim Doçi.

read more
Kulture

SI U NDERUA NË LONDËR ISA BOLETINI

LONDRA
Fitzherbert e përshkruan momentin kur Isa Boletini ‘Banditi i Ballkanit’ ishte takuar me ‘Banditin e politikës britanike’ siq e cilëson ajo edhe lordin Lloyd George i cili atëherë ishte ministër i financave por më vonë u zgjodh edhe kryeministër i Britanisë së Madhe. Herbert kishte organizuar takimin e dy banditëve për drekë në restoranin e Toni Preshës, i vetmi shqiptar i rëndësishëm që përmendet të ketë jetuar në këtë kohë në Londër.
Nga Daut DAUTI/LONDËR

Në fund të kësaj jave, me 29 prill, është dita që shënon vizitën historike të delegacionit të shtetit shqiptar që erdhi në Londër në vitin 1913.

Në këtë fotografi, të cilën e kam bërë para disa viteve, shihet shtëpia në të cilën ka qëndruar Isa beg Boletini kur erdhi në Londër si pjesëtar i delegacionit. Shtëpia gjendet në Mayfair të Londrës dhe ka qenë pronë e Aubrey Herbert-it, mikut të shqiptarëve dhe kryetarit të Komitetit Shqiptar. Herbert kishte respekt të madh për mikun e tij, Isa Boletinin. Kjo ishte arsyeja që ai vendosi ta nderonte Isën si mysafir të tij personal derisa delegatët tjerë qëndronin në hotel. Këtë shtëpi Herbert e shfrytëzonte vetëm kur vinte në Londër për takime dhe organizime të veqanta. Aubrey Herbert kishte lindur dhe jetonte në ‘Highclere Castle’ që është një ndër kështjellat më të mëdha dhe më luksoze në Angli. (Kjo kështjellë sot është e popullarizuar pasi që në të është gjiruar ‘Downtown Abbey’ një nga seritë më të shikuara televizive në Britani dhe më gjërë).

Por edhe kjo shtëpi në Londër ka hyrë në histori dhe përmendet në disa libra, përfshirë librin e kujtimeve të Herbertit dhe atë që quhet ‘The man who was Greenmantle’ e që është libër biografik i Aybrey Herbert-it të cilën e ka shkruar Margaret Fitzherbert. Në këtë libër paraqiten disa nga detajet e qëndrimit të Isa Boletinit në Londër. Autorja, Isa Boletinin e quan ‘bandit’ i cili me praninë e tij kishte zgjuar interesim të madh në kryeqytetin britanik. Fitzherbert e përshkruan momentin kur Isa Boletini ‘Banditi i Ballkanit’ ishte takuar me ‘Banditin e politikës britanike’ siq e cilëson ajo edhe lordin Lloyd George i cili atëherë ishte ministër i financave por më vonë u zgjodh edhe kryeministër i Britanisë së Madhe. Herbert kishte organizuar takimin e dy banditëve për drekë në restoranin e Toni Preshës, i vetmi shqiptar i rëndësishëm që përmendet të ketë jetuar në këtë kohë në Londër.

‘Që të dy banditët i pëlqyen menjeherë njëri tjetrit’- shkruan Fiztherbert. Në bisedë e sipër Isa ia kishte thënë lordit, kolegut të tij bandit, edhe këto fjalë: ‘kur t’del pranvera kena me i plehnu tokat e Kosovës me eshnat e serbve…’, të cilën fjali Herbert ia kishte përkthyer lordit në anglisht me pak zbutje.

Sidoqoftë, kur delegacioni shqiptar ishte kthyer në Shqipëri kishte lindur një problem që kishte të bëjë me Isa Boletinin dhe që u transmetua në shtypin britanik. Problemin, Fitzherbert e përshkruan në vijim:

“Në tetor të vitit 1913, jo shumë kohë pas kthimit të Isës në Shqipëri, Aubrey lexoi në gazeta se ai [Isa] ishte kapur nga serbët në një luftim gueril. Duke i dijtur shprehitë serbe, Aubrey ishte i sigurtë se Isa do të vritej në burg. Aubrey me nxitim shkoi në Foreign Office [Ministria e Jashtme Britanike]. Aty, shokët e tij i thanë se intervenimi për banditët shqiptarë ishte jashtë fushës së tyre por sygjeruan që Aubrey duhej të gjente një njeri të madh i cili do të merrej me këtë rast. Aubrey shkoi te Lordi Cromer. Lordi Cromer i tha:’ A është punë politike apo rast për t’i ndihmuar ndonjë mikut tënd? Nëse është për ndonjë mik tëndin do ta shoh se çka mund të bëjë.’ Aty, ai menjëher e hartoi një telegram qe iu dërgua mbretit të Serbisë. Të nesërmen Aubrey ishte shumë i kënaqur por edhe i turpëruar kur lexoi në gazetat e mëngjesit:’Dje është shkruar se Isa Boletini është zënë rob nga serbët. Rasti paraqitet të jetë i kundërt. Udhëheqësi bandit në fjalë u ka shkaktuar humbje të mëdha forcave të kombinuara serbe dhe malazeze.’ Lordi Cromer e mori turpin përsipër dhe u shfry duke i telefonuar Aubrey-it:’ Pse më shtyre të ju lutem [Serbëve] për këtë ngadhnjimtar?’ Sidoqoftë, në fund Isa Boletini u takua me vdekjen ashtu siq e kishte paraparë Aubrey. Ai u vra në burg në Mal të Zi. I vrau 8 veta para se të kapej, i plagosur rëndë, dhe të sillej në burg në Podgoricë (Titograd).”

read more
Kulture

FAIK KONICA: JU RRËFEJ AHMET ZOGUN E VËRTETË

zogu
”Sado që janë të drejta kritikat e mia për regjimin e Zogut, unë do t’i kufizoj ato brenda qarqeve shqiptare, kurse jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe pa u grindur, sepse unë jam përfaqësues i tij dhe sepse ai është Kryetari i Shtetit Shqiptar. Por personalisht unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij”

Të premten e zezë, më 7 prill 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët pa asnjë provokim të dukshëm dhe pa shpallur luftë, pushtuan Shqipërinë, një vend të paarmatosur, pothuaj pesëdhjetë herë më të vogël sesa agresori. Kjo bëmë e lavdishme ngjalli xhelozinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili nga dëshira për të hyrë në garë me një heroizëm kaq të madh, ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese. Përbuzja e botës së qytetëruar qe madje më e madhe se tmerri për agresorët fashistë, ndërsa sa për të kapërcyer ato momente në mënyrë të mëshirshme, ajo e përmbajti opinionin e saj për dezertorin shqiptar….

Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: një barbarë i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë. Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë, edhe studiuesin e psikologjisë. Disa herë më kanë kërkuar të shkruaj një libër të shkurtër për këtë personazh kureshtar. Kam qenë në mëdyshje për shumë kohë, kryesisht sepse jam zënë prej disa vjetësh me planin për një histori të Shqipërisë, të mbështetur në kërkime të mundimshme, që përfshijnë studimin e dorëshkrimeve të pabotuara në bibliotekat e Evropës. Megjithatë, në çastet e çlodhjes, duke shfletuar faqet e ndonjë autori të kohës së Elizabetës siç bëj herë pas here, më duket se kam parë ndonjë fanepsje të Zogut në pjesën e Shekspirit për mbretin Xhon dhe Dogberrin ose në veprat e Marlout për Mortimenin e Ri dhe Çifutin e Maltës. Shkurt, Zogu që nuk më ka interesuar asnjëherë si sundimtar, më në fund më preku fantazinë si subjekt anatomie. Zaret u hodhën. E ndieja se duhej të shkruaja diçka për të.

Ndoshta lexuesi do të ketë mirësinë të mendojë se unë i hyj tani kritikës, sepse Zogu ra poshtë. Njeriu disa herë ka të drejtë të mendojë në këtë mënyrë, por ky mendim i veçantë këtë radhë është tërësisht i gabuar. Unë e kam kritikuar Zogun kur ishte në fuqi, e kam bërë këtë pa pushim që nga viti 1922 deri më 1939, në fjalime të hapura dhe në shkrime të firmuara, madje edhe kur kam qenë ministri i tij, aq shumë sa kam pritur çdo ditë të më shkarkonte dhe njerëzit çuditeshin përse më kursente. Sa për ilustrim, po jap pak fakte më poshtë.

Më 21 shkurt 1931 Zogu për një fije shpëtoi nga vrasja në Vjenë. Nuk do t’i mërzis lexuesit dhe veten time me saktësi statistikore. Ata që kanë kujtesë të mirë mund t’i mbajnë mend titujt e shtypit me shkronja të mëdha në faqen e parë. unë shpreha mosmiratimin tim për këtë atentat të ulët, ndonëse ai ishte frymëzuar nga një atdhetari e gabuar. Kur u hap gjyqi, mbrojtja nxori disa copa nga shkrimet e mia, që tregonin se Zogu nuk ishte gjë tjetër, veçse një despot injorant e bosh. Thuhet se të shkëputura kështu nga konteksti i tyre i përgjithshëm, që kishte për qëllim një kritikë konstruktive për t’i kthyer veprimet dhe synimet e Zogut në një drejtim më të mirë, këto citime kanë ndihmuar që të akuzuarve t’u jepej një dënim fare i lehtë.

Më 1938 tri motrat tërheqëse dhe shpirtmira të Zogut bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Unë bëra çmos që t’u shërbeja si udhërrëfyes, filozof e mik i tyre. Para se ato të iknin, Abdurrahman Saliu shtatëdhjetëvjeçar, një pasues i trashëgueshëm i Derës së Zogut, i cili shoqëronte princeshat, më shprehu mirënjohjen për përkushtimin tim. Ai më tha se edhe vetë mbreti nuk do t’u kishte shërbyer më me devotshmëri për të mirën e motrave të veta. Plaku besnik pastaj m’u lut t’i jepja, në rast se kisha dëshirë, ndonjë mesazh me gojë për mbretin. “A më premton se do t’ia thuash mesazhin pa asnjë ndryshim?” – e pyeta. Plaku më dha fjalën. “Atëherë, – i thashë, – thuaji mbretit se sado që janë të drejta kritikat e mia për regjimin e tij, unë do t’i kufizoj ato brenda qarqeve shqiptare, kurse jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe pa u grindur, sepse unë jam përfaqësues i tij dhe sepse ai është Kryetari i Shtetit Shqiptar. Por personalisht unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij”. Abdurrahman Saliu u trondit. “Vërtet dëshiron që t’ia them të gjitha këto?” – më pyeti. “Ti më dhe fjalën se do t’ia thuash”, – iu përgjigja dhe ai pranoi me fjalë të qeta: “Dot a mbaj premtimin. Por, – shtoi plaku pas një pushimi, – a ke kundërshtim të më thuash mua pse ke një mendim kaq të keq për mbretin?” Unë iu përgjigja menjëherë: “Me kënaqësi. E përbuz mbretin për këto arsye: e kam vëzhguar që kur ka qenë tetëmbëdhjetë vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”.

Natyrisht, artikujt e mi me nënshkrim nuk kanë qenë kaq të hapur sa fjalët që i thashë plakut të mirë Abdurrahman. Ata janë botuar herë pas here në “Dielli”, që është gazeta më me reputacion dhe e shkruar më mirë në gjuhën shqipe, botohet në Boston, Mesaçusets që nga viti 1909. Sa herë “Dielli” vinte në Shqipëri dhe numri përmbante diçka me nënshkrimin tim, njerëzit rriheshin për të marrë një kopje. Kur policia e konfiskonte një numër të veçantë, siç ndodhte shpesh, një kopje e futur kontrabandë mund të shitej deri njëzet franga ari (që janë baraz me shtatë dollarë me kursin e shkëmbimit të sotëm), gjë që është një provë bindëse e interesit për të, po të mbajmë parasysh se paratë në dorë janë mjaft të pakta në Shqipëri. Në numrin e “Diellit” të 22 gushtit 1938 unë kisha botuar një artikull me nënshkrim, që merrej me format e ndryshme të qeverimit. Ai mbaronte me këto fjalë (të përkthyera): “Monarkia ka në Shqipëri dy tipa armiqsh: ata që e lavdërojnë pa masë dhe pa vend, si dhe ata që e bëjnë qesharake me festime të tepruara. Nëse na pëlqen monarkia, le të përpiqemi t’i japim seriozitet e dinjitet duke hequr dorë nga karnavalet”.

Është e tepërt të shtoj se i vetmi person ndërgjegjës për ato karnavale ishte vetë Zogu. Në të vërtetë, i gjithë regjimi i Zogut nuk ishte gjë tjetër veçse një karnaval i gjatë me një fund tragjik.

Një gjë interesante për ish mbretin e Shqipërisë ka qenë prirja e tij për ta ndryshuar emrin, duke u ngjitur në pushtet. Ai lindi si Ahmet Zogolli, i biri i Xhemal Zogollit, kreut të krahinës së Matit, më vonë u bë Ahmed Zogu dhe në shkallët e fundit të karrierës së tij të turbulluar e quajti veten “Mbreti Zog”.

Ai lindi më 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të krahinës së Matit dhe vinte nga një varg i gjatë funksionarësh qeveritarë. Kur ishte djalë, e çuan në shkollë në Stamboll, por e ndërpreu shkollën më 1912, kur Shqipëria u çlirua nga Turqit. Por atë që i mungoi si shkollim, ai e plotësoi me inteligjencën e lindur dhe me dredhinë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur një pjesë e madhe e Shqipërisë u pushtua nga trupat austro-hungareze, Zogu bashkëpunoi me pushtuesit, por me kalimin e kohës oficerët austriakë nisën të vinin re njëfarë padurimi të lehtë te ky prijës i ri. Vdekja e perandorit Franc Jozef më 1916 u dha atyre mundësinë për ta larguar nga skena dhe e dërguan në Vjenë për të marrë pjesë në kurorëzimin e perandorit Karl. Aty e mbajtën deri në fund të luftës. Ky ishte kontakti i tij i parë me botën perëndimore dhe ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë gjendjen e vështirë, duke mësuar gjermanishten dhe duke vëzhguar nga afër politikën perëndimore. Është interesante të bësh hamendje se kurorëzimi gjithë pompë i perandorit Karl ka qenë arsyeja që e ka ndezur imagjinatën e malësorit të ri dhe ia ka kthyer mendjen për të përfytyruar një kurorëzim edhe të vetes në të ardhmen. Është mjaft e çuditshme që, kur ai u kthye në Shqipëri nga fundi i luftës, i hyri rrugës për t’u bërë mbret. Ai nisi të punonte për të arritur qëllimet e veta në një mënyrë të mirëfilltë makiavelike, ndonëse nuk dihet a i kishte lexuar ndonjëherë porositë e librit të tij “Princi”.

Pasi u kthye në Shqipëri, Zogu e gjeti vendin e vogël të copëtuar nga lufta dhe në kaos politik, në prag të një gjendjeje anarkie. Kjo i dha atij mundësinë për të përdorur me përfitim ata 2000 malësorët e tij, që ishin gati ta ndiqnin në çfarëdo aventure që do të vendoste t’i drejtonte. Për më tepër, shqetësimet e Shqipërisë nuk ishin tërësisht të brendshme, sepse atë e kërcënonte edhe copëtimi nga fqinjët. Kjo krizë i detyroi prijësit shqiptarë që t’i linin mosmarrëveshjet për një kohë. Më 21 janar 1920 ata u mblodhën në kongresin historik të Lushnjes, ku ata iu drejtuan parimit të presidentit Uillson për “vetëvendosjen” e kombeve dhe gjithashtu shpallën besën e tyre, duke u zotuar të vdesin për të mbrojtur tërësinë tokësore e politike të vendit. Lidhur me këtë, duhet vënë në dukje se zona në të cilën u mbajt kongresi ishte ende nën pushtimin italian dhe të vetmet forca në dispozicion për t’i mbrojtur krerët nga italianët ishin besnikët e Zogut.

Kur u formua kabineti nga Kongresi, Zogu u caktua ministër i Brendshëm, një post ky që i dha kontrollin mbi policinë dhe xhandarmërinë. Që nga ky çast ai u ngjit lart si meteor: u bë kryeministër më 1923, presidenti më 1925 dhe së fundi mbret më 1928. Është interesante se çdo hap që bëri, nga ministër i brendshëm deri në mbret, ishte “në mënyrë kushtetuese”.

Për këtë ngjitje në pushtet, i vetmi njeri që e kundërshtoi ka qenë peshkopi Fan S. Noli, i formuar sipas mënyrës amerikane. Peshkopi kryesoi forcat liberale të vendit, shumica e të cilave e kishin shijuar demokracinë në Amerikë. Për më tepër, fshatarët që përbënin 95 për qind të popullsisë e shihnin atë pa asnjë dyshim si të vetmin njeri të aftë për ta udhëhequr vendin drejt reformave demokratike e përparimtare. Në qershor 1924 gjatë një kryengritjeje spontane kundër forcave regresive, ai e detyroi Zogun të arratisej nga vendi. megjithatë, pas gjashtë muajsh Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën ushtarake të Jugosllavisë fqinjë dhe me miratimin e Anglisë, Italisë e Greqisë. Kthimi i tij “triumfal” në Tiranë i dha fund jetës politike të peshkopit Noli.

Duke bërë një përmbledhje të karrierës së tij, ka disa arritje që janë në dobi të tij. E para, ai solli njëfarë pamjeje të unitetit për vendin, duke rivendosur rendin pas anarkisë dhe, siç e ka thënë një njeri i mençur, tirania parapëlqehet ndaj anarkisë. Veç kësaj, ai shpëtoi vendin nga brigandizmi dhe mungesa e ligjeve, një realizim ky që vështirë të vlerësohej atëherë, siç e tregon një shprehje fluturake, që qarkullonte atëherë nën zë gjerësisht nëpër kafenetë: “Është e vërtetë që nuk ka më cuba në Shqipëri, sepse kanë shkuar të gjithë në Tiranë, ku vjedhin me autoritet duke ndenjur në tavolinën e zyrës”. Së fundi, ndonëse ishte vetë bej, ai e ngushtoi shumë pushtetin e bejlerëve. Megjithatë, këtë e bëri kryesisht për të siguruar pozitat e veta.

Nga ana negative, administrata e tij ishte e korruptuar dhe e pazonja, sepse ai e rrethoi veten me njerëz që nuk kishin as karakter, as dije dhe as ndershmërinë e zakonshme. U shtyp me egërsi liria e fjalës dhe e shtypit, ndërsa spiunët e tij të kudondodhur e terrorizonin popullin. Ndonëse ishte injorant në fushën e gjerë të ekonomisë, ai ishte dhelparak për punët e veta. Rreth tre për qind të të ardhurave shtetërore i merrte për vete si rrogë dhe shpërblime, por pjesën kryesore të pasurisë, që është vlerësuar midis tre dhe pesë milionë dollarë, e mori si dhuratë nga Musolini për koncesionet politike dhe ekonomike që i bëri Italisë. Në të vërtetë, fama e Zogut si dallaveraxhi i zgjuar mund të përmblidhet në një koment që i ka bërë autorit ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Tiranë: “Ishte e lehtë ta blije Zogun, por ai nuk qëndronte i blerë”.

Më 7 maj 1938 Zogu u martua me konteshën Geraldina Aponi të Hungarisë, duke pasur si nun kontin Galeaco Çano, ministrin e Jashtëm të Italisë dhe dhëndrin e të ndjerit Musolini, që nuk e qau kush. Një vit më pas, më 5 prill 1939 lindi një djalë. dy ditë më vonë, të premten e zezë, ndërsa gjithë krishterimi ishte përgjunjur para Princit të Paqes, legjionet e krishtera të Musolinit kapërcyen Adriatikun për të pushtuar një vend të vogël. Ndonëse nuk i mungonte guximi shtazor, kur erdhi çasti për ta treguar atë të premte të zezë fatale, Zogun e lëshuan nervat dhe e tradhtoi vendin. Është domethënëse që italianët nuk bënë asnjë përpjekje për ta kapur kur po arratisej për në Greqi. Meqë aeroplanët italianë fare lehtë mund ta zbulonin karvanin e tij, na duhet të nxjerrim përfundimin se Musolini e la “të shpëtonte” ish-të mbrojturin e tij.

Në rast se Zogu do të kishte vendosur që të qëndronte me popullin e tij dhe do ta godiste pushtuesin nga malet, ai do të kishte përsëritur në shekullin e njëzetë epokën e Skënderbeut, duke fituar kështu adhurimin e botës dhe mirënjohjen e popullit të tij. Në vend të kësaj ai zgjodhi arratisjen.

*Marrë me shkurtime nga kapitulli “Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut”

 

 

read more
Kulture

ZBARDHET DOKUMENTI I RRALLË NGA ARKIVAT TURKE PËR SHQIPËRINË E 1478-S

kruja

 

Gati një vit të shkuar nga  Arkivi i Topkapi Sarajit në Stamboll erdhi  më në fund përgjigjja se dokumenti E9695  që kisha kërkuar prej kohësh ishte miratuar për botim.

I përmendur për herë të pare nga  studiuesi  turk  Tahsin Öz në një shkrim mbi periudhën e Sulltan Mehmetit të II-të fatkeqësisht ky dokument Persian nuk ishte i përkthyer asnjëherë.

Dr. Oz përmend se në dokument kishte mundur të dallonte fjalen Akhisar  por pa shtjelluar më asnjë shpjegim. Ishte kjo e dhënë që na bëri të besojmë se ky dokument mund të kishte lidhje me Krujën e Skënderbeut .

Dokumenti i ardhur nga Stambolli i cili sot botohet nga DITA për herë të pare është i shkruar në persishten e vjetër  dhe deri më sot nuk  ishte përkthyer nga asnjë studiues i fushës. Interesant është fakti se për arsye të ndryshme dokumenti i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve të periudhës së Sulltan Mehmetit të II-të si dhe marrdhënieve të tij me Venecian, veçanërisht  në lidhje me territoret shqiptare.

Në rrugën e gjatë të përkthimit të këtij dokumenti janë përfshirë një sërë orientalistësh të disa prej universiteteve më të mira në Amerikë. Duke filluar nga miku im i vjetër, Viktor Freedman nga Instituti i Studimeve Orientale në  Universitetin e Çikagos, i cili rekomandoi një sërë studiuesish të fushës, e deri tek disa profesorë iranianë të Universitetit të Kalifornias. Fatkeqësisht, të gjithë u dorëzuan nga stili i vështirë i këtij dokumenti të pazakontë.

Kërkesa për ndihmë nga Ambasada e Iranit në Tiranë nuk dha fryte dhe ndoshta  lutja për përkthimin e një dokumenti nga persishtja mesjetare mund të ketë humbur në kanalet e burokracisë iraniane. Mbas 8 muajsh përpjekjesh,  rastësisht kërkesës sime për ndihmë iu përgjigj një emër totalisht i pa njohur për mua,  por një ndër emrat më të rëndësishëm botërorë të studimeve orientale, Prof.Wheeler Thackston nga Universiteti i Harvardit, i njohur veçanërisht për veprat monumentale të përkthimit në Farsi, Arabishten Klasike si dhe kujtimet e Perandorëve Mugale  të njohura si Babur Name dhe Jahangir Name.

Njohuritë e thella në Arabishten Levantine, Ottomanisht, Uzbek dhe Kurdish  i kanë dhënë atij një famë të madhe në lëmin e orientalizmit.  E megjithatë edhe Prof. Thackston e kishte të vështirë si fillim përkthimin e këtij dokumenti të rrallë. Për disa javë me rradhë kemi komunikuar në përgjithësi natën deri në mëngjes pasi profesori, me sa dukej ulej të punonte në pasditen e vonë që i binte gati mëngjes në Tiranë.

-“Auron – shkruante Profesori –   kaligrafia   e këtij dokumenti i quajtur Nasta’liq është një formë e shkrimit mesjetar Persian, por ky dokument është  ajo kaligrafi  që ne e  quajmë  Ta’liq, një formë djallëzore e të shkruajturës persisht. Në mënyrë të përsëritur, shkronjësit e vjetër vendosnin pika të cilat ti nuk do ti lexosh dhe lënë jashtë ato pika të cilat ti duhet ti lexosh”

Në fakt përcaktimi i këtij dokumenti nga Prof. Wheeler si dokument  i shkruar në kaligrafinë persiane  Ta’liq  ishte një hap i rëndësishëm për të përcaktuar  vërtetësinë e tij si një dokument i dalë nga shkruesit  mbretërorë  të Sulltanit.   Kjo kaligrafi e persishtes mesjetare përdorej kryesisht në korespondenca zyrtare të  Portes së Lartë në fillimet e shtetit Otoman.

*****

Dokumenti E9695 përbëhet nga 22 vargje të shkruara në mënyrën më elegante të mundshme. Në krye duhet të ketë pasur Tugren (vulën) sulltanore e cila mungon  si dhe emrin e Sundimtarit të cilit ky dokument duhet t’i jetë drejtuar. Ka disa ide të ndryshme se kujt personazhi mund ti jetë drejtuar ky dokument . Në fillimin e punës për përkthimin  e këtij dokumenti Prof. Thackston dalloi se bëhej fjalëpër pushtimin e një Kështjelle të  quajtur Akhisar.

“Në vështrimin e parë mendoj se është një  mënyrë e retorikës së lartë Persiane për të thënë gati asgjë përveç faktit se një Fortesë e fuqishme është pushtuar. Dalloj fjalën Aqcha Hisar  dhe Mevlana Murad Celebi ” –  shkruante Profesori.

Në fakt, të dhënat e para nga Prof. Thackston ishin me shumë interes, pasi  Akhisar apo Kështjella e Bardhë ishte emri me të cilin otomanet quanin fortesën e fuqishme të Krujës, e cila me rezistencën e saj kishte lënë gjurmë të thella në Oborrin Sulltanor.

Ndërkohë Mevlana Murad Celebi është një emër tejet intrigues, pasi mund të kemi një të dhënë të rëndësishme historike për pjesmarrjen e një pasardhësi të familjes së Xhelaledin Rumit në rrethimin e Krujës.  Titulli Mevlana, në përgjithësi, mbahej nga pasardhësit e Rumit. Nga konsultimi me burimet e kohës mendojmë se dokumenti ynë duhet ti referohet Karaman Mehmed Pashës një pasardhës i Xhelaledin Rumit i ngjitur deri në shkallën e Vezirit të Madh gjatë periudhës së Mehmetit të II.

Sipas Dr. Mehmet  Tutuncu, specialist i Otomanishtes së vjetër,  dokumenti është datuar sipas sistemit Arab 4 Rebiul Sani (5 korrik) por pa dhënë një vit specifik. Por nga përmbajtja e dokumentit (rënia e Krujës) mund të nxjerrim përfundimin se ai është shkruar në Hixher 883 apo në kalendarin gregorian 1478. Dokumenti Persian  mund tëthemi se mban datën e 5 Korrikut 1478.

Më poshtë po japim një përkthim të përafërt me transkriptimin e bërë nga Prof. Thackston Wheler i Universitetit të Harvardit.

Përmbajtja e dokumentit fillon në10 rreshtat e parë të cilat janë një gjuhë oborrtare e mbushur me fjalë që në thelb nuk thonë asgjë.

 

Pjesë nga dokumenti

Më poshtë:

“Le të bëhet e ditur se midis ndodhive të lumtura me mbërritjen e Vezirit të madh  është ardhja e lajmit të pushtimit të Kështjellës së Krujës e cila ishte rrethuar nga një prej shërbëtorëve të Oborrit.  Edhe pse një kështjellë e fuqishme, me Kulla të larta që imagjinata nuk i përfytyron dot, nga ku rrëkejt e detrave qiellore pinë, themelet e saj nuk krahasohen me Piramidat  dhe lartësia e  mureve  është baraz me lartësinë e majës së Saturnit”

Vargu 15/16:

“Edhe pse kjo Fortesë si dhe të tjerat përqark nuk  janë veçse degë të Perandorisë, pushtimi i saj do të sjellë qetësi për njerëzit e tjerë si dhe do të ndalojë lulëzimin e armiqve të besimit. Ne jemi të vendosur me të gjithë vëmendjen tonë në arritjen e këtij qëllimi”

 Vargu 18:

“Kemi shpresë se me vazhdimin e këtyre fitoreve të mëdha ky pushtim do të jetë burimi i arritjeve dhe  qëllimeve të tjera tona”

Vargu 19-21:

“Në këtë kohë,  për mbylljen e marrveshjeve dhe pakteve për hedhjen e  themeleve të dashurisë dhe respektit të ndërsjelltë. Ekselenca e Tij, Veziri i Madh, Mevlana Murad Celebi një shërbëtor i rëndësishëm i Oborrit është dërguar për t’ju sjellë detaje nga afër”

Vargu 22:

“Me shpresën se kjo do të jetë faqja e historisë përgjithmonë. Meqënëse Arsyeja për këtë letër  ishte për t’ju dërguar lajme  shpresojmë të mos jemi zgjatur”

4 Rabi II (viti mungon)

Firmosur

Në Iskanderie (Shkodër) pushtuar nga pushtuesi i Konstandinopojës.

Sipas Prof. Tutunçu ky dokument mund të cilësohet si FATHNAME apo e njohur ndryshe si Dokument Pushtimi (një deklarim zyrtar i një fitoreje). Këto dokumenta të rralla janë mjaft të rëndësishme pasi japin përshkrime edhe pse të shkurtra të betejave historike.

Analiza historike

“Ne nuk kemi bërë asgjë kundër armiqve të Kryqit” – Papa Pius.

Kur Venecia i shpalli Luftë Perandorisë Otomane në Korrik të 1463, ndoshta Sinjoria nuk e kishte parashikuar se Lufta që do të zgjaste për gati 16 vjet do t’i sillte humbjen e pakthyeshme të Shqipërisë dhe Peloponezit.

Humbja e një sere kështjellash strategjike përgjatë bregdetit do të sillte pasoja të mëdha për tregëtinë e Lindjes, duke zvogëluar gjithashtu edhe  prestigjin venecian në rajon. Ndërkohë rëndësia strategjike e Shqipërisë në ekspansionin otoman drejt perëndimit shpjegon arsyen se përse Mehmet II, një prej Sulltanëve më të njohur tëPerandorisë, merr pjesë personalisht në fushatën shqiptare. Në këtë kontekst historik duhet parë edhe rëndësia e dokumentit E9695.

Nga burimet e kohës duket se Mehmeti II megjithëse kishte provokuar disa inkursione në zonën e Peloponezit kundër zotërimeve Veneciane kërkonte paqe me Venedikasit. Me shumë mundësi, ai nuk dëshironte një front të dytë konflikti me Venecianët, pasi për momentin ishte i angazhuar në prapavijat e zotërimeve të tij ku Uzun Hasani  Sulltan i Grigjës së Bardhë kishte filluar një sërë provokimesh.

Uzun Hasani i nxitur nga Sinjoria po nxiste Mehmetin në një përplasje frontale por duket se Sinjoria për të qenë e sigurtë po komplotonte vrasjen e Mehmetit nëpërmjet atentatorëve të fshehtë . Në këtë kontekst mund të shikojmë ambasaden e dërguar nga Mehmeti II për Dozhen e Venedikut Cristofero Mauro, ku kërkon paqe nga Sinoria dhe mbajtjen e territoreve nga secila palë me përjashtim të rikthimit të ishullit të Lesbos  dhe “kthimin e Krujës, e mbajtur nga ju që nga vdekja e Skënderbeut, në duart tona” .

Por me thyerjen e rëndë të Uzun Hasanit në Konia tashmë Mehmeti i II i kishte duart e lira për fushatën e tij Ballkanike. Mehmeti, i cili në fushatën e të atit kundër Krujës, kishte  marrë pjesë aktive e njihte më së miri territorin arbëror . Një prej Gjeneraleve të tij më të suksesshëm, Gedik Ahmet Pasha vinte nga këto territore. I shquar në disa fushata vendimtare të Mehmetit,  Gehdik Pasha kishte qenë kundër marshimit drejt Shkodrës.

I izoluar për pak kohë në Burgun Imperial ai u lirua me ndërmjetësinë e Vezirit të Madh dhe u emërua Pasha i Vlorës duke marrë pjesë aktive në rrethimin e Shkodrës.

Epopeja e Krujës dhe Shkodrës vjen tek ne ndër të tjera edhe  nëpërmjet veprës së fratit Barleti i cili në De Scodrensi Obsidione, përshkruan me ngjyra të ndezura dhe plot egzagjerime përleshjet midis mbrojtësve të kështjellave dhe ushtrisë Otomane. Sipas Barletit, Mehmeti pasi mori në dorëzim Kështjellën e Krujës dhe masakroi të gjithë mbrojtësit e saj, u drejtua në Veri drejt Shkodrës, ku trupat Otomane tashmë ishin vendosur përqark Bunës, të prira nga Shqiptari  Daut Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë dhe Evrenos Oglu Ahmed Pasha,Sanxhakbeu i Shqipërisë.

Dokumenti ynë mbështet kronikën e Barletit për kohën e rënies së Krujës. Kruja bie në 1478 një fakt i konfirmuar edhe nga burimet venedikase. Por dokumenti që sjellim sot në DITA në mënyrë eksplicite thotë se Iskanderie (Shkodra) është pushtuar nga Mehmeti II, fakt ky i pa konfirmuar nga burimet e kohës pasi dihet se Shkodra ra disa muaj pasi Mehmeti ishte larguar nga rrethimi i saj. Ndërkohë, vërtetësia e këtij dokumenti të rrallë na bën të mendojmë se Shkodra teorikisht ka rënë më herët se sa njihet deri më sot.

Në botimin e Bombacit “La collezione di documenti turchi dell Archivio si Stato di Venezia”mësojme se Sinjoria me të marrë lajmin se trupat otomane po marshonin drejt Arbërisë dërgon provedorin e Flotës Tomaso Malpiero  në brigjet shqiptare me vendimin për pranimin e termave të Sulltanit per Paqe.  Fillimisht, Sulltani kishte kërkuar dorëzimin e Krujës pa luftë. Për këtë ai kishte dërguar si negociator nje çifut (me shumë mundësi  mjekun e tij personal Maestro Jakopin)  në Krujë e cila ishte e rrethuar nga Ahmed Beu,  Sanxhak Beu i Shqipërisë.

Ambasadori Otoman i cili nga Kruja udhëtoi me një galerë të Admiralit Loreto drejt Venedikut, vdiq papritur duke lenë negociatat në mes por që për rëndësinë e tyre nuk mund të vonoheshin më tej. Për këtë arsye Sinjoria dërgon Ambasadorin Malpiero i cili duke udhëtuar nëpërmjet Via Egnatia mbërrin në kampin e Sulltanit, i vendosur diku afër Kusendilit. Në këtë takim ai mëson se tashmë Sulltan Mehmeti kërkon jo vetem dorëzimin e Krujes por edhe Shkodrës, Drishtit dhe Lezhës.

Admirali Venedikas i pa fuqishem per te negociuar me Sulltanin per kerkesat e reja rikthehet prane Flotës së pozicionuar në Adriatik duke pritur. Pasi Mehmeti merr Krujën dhe i drejtohet Shkodrës, Malpiero rikthehet në brigjet shqiptare dhe mbrrin në Shkodër menjëherënëpërmjet Bunës për të mbrritur në Kampin e Sulltanit vetëm disa ditë përpara se trupat e kalorsisë së lehtë të Mihal Oglu Ali Bej  dhe Davud Pasha Shqiptarit të mbërrinin në fshatrat aty pranë.

Mbërritja e Malpieros në Shkodër dhe takimi me Sulltanin janë përshkruar nga disa burime të kohës por negociatat mes tyre nuk dihen. A sillte valle Malpiero një propozim të ri për Sulltanin? Robi Italian Gian Maria Angiollelloi cili ishte nje funksionar i rendesishem prane Mehmetit  ka lene deshmite e tija ne “Kroniken”, ku flet edhe per kete takim.

“Malpiero erdhi me nje galere te shpejte ne Bune dhe zbriti ne nje vend te quajtur San Celso. Ai dergoi Sekretarin e tij Manentite shoqeruar nga 40 kalores otomane tek Cadra e  Sulltanit”

Nga ky takim ka mbetur vetem nje dokument i prodhur nga Sekretari Manenti per Sinjorine derguar me 27 Gusht duke raportuar per deshtimin e Misionit per shpetimin e Shkodres. Manenti u kthye ne Venedik ndersa Admirali prane flotes duke ju afruar Lezhes e cila ishte gjithashtu e rrethuar.

Në  mënyrë kronologjike mund të ndjekim ngjarjen si më poshtë:

  • Mehmeti i çliruar nga presioni i Uzun Hasanit të Grigjës së Bardhë përgatit ekspeditën ndaj Arbërisë.
  • Venedikasit tentojnë një paqe me kushte të vështira për ta por Mehmeti vazhdon marshimin
  • Mehmeti nëpërmjet Via Egnatia-s mbërrin në Krujë ku merr pjesë personalisht në dorëzimin e saj nga Venecianët më 15 Qershor 1478 (15.RI.883)
  • Në 2 Korrik ai e zhvendos kampin e tij në brigjet e Bunës ku pret emisarët e Dozhës Venedikas (Malpieron dhe sekretarin e tij Manenti) të cilët i kishte pritur disa javë më parë në kampin e tij në Manastir
  • Në 5 Korrik shkruan letrën e cila dërgohet nën mbikqyrjen e besnikut të tij Mevlana Murat Celebi për sundimtarët Lindorë të cilët po ndiqnin me vëmendje fushatën e Mehmetit në Ballkan, ku deklaron rënien e Shkodrës. Pasi tenton edhe nje sulm te pergjithshem mbi Keshtjellen Mehmeti le rrethimin ne 8 Shtator duke u kthyer ne Stamboll.

Kronologjia e Fathname në Persisht nuk lë dyshim mbi datën e nënshkrimit të saj nga Mehmeti II nën muret e Shkodrës. Por Burimet  Venedikase janë të pagabueshme mbi datën e rënies së Shkodrës si 4 Janar i 1479.

Çfarë ka ndodhur midis kohës kur Mehmeti deklaron pushtimin e Shkodrës dhe datës zyrtare të braktisjes së saj nga banorët shkodranë?

Burimet vendikase dhe kronika e Barletit hedhin dritë mbi përpjekjet e mëdha të Shkodranëve dhe garnizonit Venecian në mbrojtjen e Shkodrës. Jo vetëm garnizioni i kalasë por e gjithë popullsia e Shkodrës, përfshirë edhe gratë, morën pjesë në betejat e përgjakshme.

Frati Domenikan Bartolomeu i Epirit, Gjon Kapistrano dhe komandanti i kavalerisë Nikollë Moneta, udhëhoqën disa sulme jashtë Kalasë duke rritur shpresat e mbrojtësve për një çlirim të mundshëm. Por duket se Mehmeti i II lajmëronte marrjen e kësaj Kështjellë 7 muaj përpara se mbrojtësit të braktisnin Fortesën.

A mos vallë Ambasadori Malpiero i cili e kishte takuar Sulltanin në bregun e Bunës kishte pranuar në fshehtësi kapitullimin e Shkodrës?

Në se ky dokument i rrallë do të merret si një dokument autentik i dalë nga kancelaria e Mehmetit, atëherë duket se një marrvëshje e fshehtë ishte nënshkruar midis tij dhe Sinjorisë venedikase nëpërmjet Admiralit Malpiero. Nëse kjo është e vërtetë, sakrificat e mbrojtësve të Fortesës të kenë qenë një përpjekje e dëshpëruar e Venedikasve për të krijuar një iluzion të rremë për mbrojtjen e Shkodrës, duke e sakrifikuar këtë të fundit për interesat tregtare në Lindje.

*****

Sipas Prof. Thackler dora që ka nënshkruar dokumentin është e ndryshme nga dora e shkruesit të këtij dokumenti. Një fakt tejet  interesant ky dhe nëse do të donim të ishim pak të egzagjeruar në hipotezën tonë mund të mendojmë se ndoshta nënshkrimi është i vetë Mehmetit.

Është fakt se Sulltanët nuk nënshkruanin asnjëherë dokumentet zyrtare, por nëse marrim parasysh faktin që Mehmeti i II ishte një person mjaft i edukuar dhe lidhja e Shkodrës me kultin e  Aleksandrit, nënshkrimi i dokumentit nga dora e tij është një mundësi.

Nëshkrimi i letrës së Mehmetit me titullin e pushtuesit të Iskanderies mund të shpjegohet me edukimin klasik që Mehmeti kishte marrë në rini. Është e njohur vizita e tij në rrënojat që mendohej se ishte Troja antikeme 1462 (sipas kronikanit grek Kritoboulos), apo pretendimi i tij se pushtimi i Konstandinopojës ishte një hakmarrje për shkatërrimin e Trojës. (Kritobulus)

Dihet  nga burimet e kohës se Mehmeti e stilizonte veten e tij  nën modelin e Aleksandrit.  Nicolo Sangudino i cili pati një audiencë personale me Mehmetin pas Pushtimit të Konstandinopojës raporton në interesin e këtij të fundit në historinë antike dhe në vecanti per Aleksandrin e Madh. Po keshtu ne studimin e historianit Julian Rabi mbi figurën e Mehmetit mësojmë se në Librarinë e Sulltanit përveç të tjerave  ishin vëllime të Arrianit  Anabasi një vepër klasike kjo mbi  Aleksandrin e Madh si dhe një kopje e Iliadës së Homerit.

Iskanderie  përkthehet nga   arabishtja si Qyteti i Aleksandrit. Por përse Mehmeti  me krenari të dukshme dërgon lajmin e pushtimit të këtij qyteti  tek sundimtarët e lindjes? Është një pyetje tejet interesante.

Nga thellësia e shekujve, Shkodra njihet për legjendën e saj të famshme të Rozafës dhe gojëdhënat lokale nuk kanë asnjë  burim që e lidh këtë qytet me Aleksandrin e Madh apo edhe sundimtarë antik me këtë emër, me përjashtim të Statutit të Shkodrës ku themelimi i qytetit lidhet me emrin e Gjeneralit të famshëm Maqedonas.

Megjithatë këtë pretendim të lashtësisë së qytetit, mund ta marrim në kontekstin e kohës, ku nën influencën e modës europiane edhe hartuesit e Statuseve të Qytetit kërkonin një prejardhje të lavdishme të tij. Po kështu, një burim i besueshëm por pak i përdorur nga historiografia jonë është Evliha Celebiu një udhëtar otoman mjaft i njohur për  udhëtimet e tij në territoret e Perandorisë.

Në përshkrimin që ai i bën qytetit të Shkodrës ai shkruan: “Udhëtuam në qytetin e fortifikuar me mure Iskanderie.  Ky qytet ishte  themeluar nga Iskendër Zulkarneyn (Aleksandri i Madh) dhe quhej Iskenderiyye” .

Pra sipas Celebiut, Shkodra në periudhën e tij kishte si legjendë themelimin e saj nga Aleksandri i Madh. Identifikimi i Shkodrës me Aleksandrin e madh të paktën sipas  studiuesve otomanë është një rrugë e pashkelur më parë. Ndoshta insistimi i Mehmetit për pushtmin e Shkodrës përveç çështjeve strategjike mund të ketë lidhje edhe me ambicien e tij për të pushtuar një qytet të themeluar nga Aleksandri i madh.

Ndoshta gërmimet arkeologjike të munguara mund të hedhin dritë mbi vërtetësinë e këtij pretendimi, por ajo që ka shume rëndësi është fakti se për Otomanët Shkodra ishte një qytet jashtëzakonisht i rëndësishëm për pozicionin strategjik  që zotëronte. Për studiuesit do të ishte me interes hipoteza se Mehmeti II përveç arsyes strategjike ka pasur edhe arsye personale për marrjen e Shkodrës.

Sipas specialistëve të periudhes otomane në periudhën e Mehmetit II njiheshin vetëm tre qytete  të quajtura Iskenderie.  Shkodra në Arbëri,  Aleksandria në brigjet e sotme Turke që shërbente si port kryesor për qytetin Sirian të Aleppos dhe i treti Aleksandria e famshme e Egjyptit. Deri në periudhën e Mehmet  Fatihut asnjë prej këtyre qyteteve nuk ishte pushtuar nga otomanët. Për këtë arsye dokumenti ynë specifikisht cilëson Shkodrën si qytetin e Aleksandrit të pushtuar nga Mehmeti dhe epiteti që ai i njeh vetes si pushtues i saj është mjaft interesant. /Auron Tare*

 Bibliografia e përdorur:

  1. (Topkapı Sarayı Müzesi Arşivinde Fatıh II/ Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten 53, 1950, pp 49-56  (page 54))
  2. Babinger “Jakub Pascha ein Leibartz Mehmed II Revista degli Studi Orientali 1951.
  3. (The Uygur account of Mehemmed II’s victory in 878/1473 over Uzun Hasan (R. Rahmeti Arat, Fatih Sultan Mehmed’in yarlIǧI, in TM, vi (1939), 285-322; cf. idem, Un yarlIk de Mehmed II, le Conquerant, in Annali del R. Ist. Sup. Orientale di Napoli, n.s. i (1940), 25-68).)
  4. Stavrides, Théoharis (August 2001). The Sultan of Vezirs: The Life and Times of the Ottoman Grand Vezir Mahmud Pasha Angeloviu (1453-1474) (Ottoman Empire and Its Heritage Series, Volume 24). Brill Academic Publishers, Inc. p. 65. ISBN 90-04-12106-4.
  5. Heath W. Lowry (2003). The Nature of the Early Ottoman State. SUNY Press. p. 116. ISBN 978-0-7914-8726-6. Retrieved 20 February 2013.
  6. Setton, Kenneth M. (1978), The Papacy and the Levant (1204–1571), Volume II: The Fifteenth Century, DIANE Publishing, p. 340, ISBN 0-87169-127-2 Babinger, Franz. Mehmed the Conqueror and His Time. New Jersey: Princeton University Press, 1978.
  7. Ecthesis Chronica 40. Mukrimin Halil Yinac “Ahmed Pasha Gedik” IA 1 193-199
  8. Halil Inaklcik “Ahmad Pasha Gedik” EI2, 292-293
  9. Sehabeddin Tekindag, “Mehmed Pasha Karamani” 1A 7, 588
  10. Sehi Beg, Hest Bihist: the Tezkire by Sehi Beg ed Gunay Kut (cambrigde MA 1978) f24r, Tekindag “Mehmed Pasa Karamani” 1A 7 588
  11. İnalcık, Halil, “Aḥmad Pas̲h̲a Gedik”, in: Encyclopaedia of Islam, Second Edition, Edited by: P. Bearman, Th. Bianquis, C.E. Bosëorth, E. van Donzel, W.P. Hans J Kissling “Die Anonyme Altosmaniche Chronik uber Sultan Bayezid II”  Munich 1967 .134
  12. Xhufi Arberit e Jonit”
  13. H “Mehmet the Conqueror” 1432-1481 1960
  14. H Perandoria Osmane. Periudha Klasike 1300-1600.Tirane Dituria 2013 Seven ottoman Documents from the Reign of Mehmet II  V.L.Menage
  15. Da Lezze ( Gian Maria -Angiolello)
  16. Jirecek “Skutari und sein Gebiet im mittelalter”
  17. von Thalloczy, Illuyrisch-Alnanische Forschungen Munich 1916 pp 94-124

 

read more
Kulture

NDËRROI JETË POETI I NJOHUR RUS YEVGEY YEVTUSHENKO

AR-170409927

Poeti i njohur rus, Yevgey Yevtushenko, ka vdekur në një spital në Tusla të Oklahomës në moshën 84-vjeçare.

Miku i ngushtë i poetit, Mikhail Morgulis, i ka thënë agjencisë TASS më 1 prill se “pesë minuta më parë, Yevgeny Aleksandrovich ka ndërruar jetë”.

Yevtushenko ishte dërguar në spital gjatë 31 marsit. Gruaja e tij, Maria Novikova dhe dy djemtë e tyre, Dmitry dhe Yevgeny, raportohet se kanë qenë pranë poetit kur ai ka ndërruar jetë.

Për vdekjen e Yevtushenkos, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur ngushëllimet e tij.

“Yevtushenko ka qenë një poet i madh dhe trashëgimia e tij është pjesë e kulturës ruse”, ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

I lindur në Siberi më 1932, Yevtushenko ka publikuar përmbjedhjen e parë poetike më 1952. Po atë vit, në moshën 20-vjeçare, ai u bë anëtari më i ri i Unionit të Shkrimtarëve sovjetikë.

Sipas mediave ruse, poeti i ndjerë kishte shprehur dëshirën që të varrosej në Peredeliko, në periferi të Moskës, ku prehen komuniteti i shkrimtarëve. Ai thuhet se ka shprehur dëshirën që të varroset pranë laureatit të Çmimit Nobel, Boris Pasternak./ART CHANEL

read more
1 2 3 4 5 8
Page 3 of 8