close
Sport

BOKS: PACQUIAO HEQ DORË NGA TRAJNERI

Freddie Roach: Jam i zhgënjyer


Boksieri filipinas Manny Pacquiao do të rikthehet në ring më 15 korrik, në duelin për titullin kampion bote të peshës “welter” në kategorinë WBA, ndaj argjentinasit Lucas Matthysse. Por 39-vjeçari filipinas ka vendosur që për këtë sfidë të mos ketë në krah trajnerin e tij, legjendarin Freddie Roach, me të cilin ka kaluar dhjetëra beteja në 23 vite si profesionist. Por duket se pas gjithë këtyre viteve, Pacquiao i cili ka 59 fitore, 7 humbje e 2 barazime, është i bindur se nuk ka më nevojë për Roach dhe ka vendosur që të përgatitet i vetëm për duelin që do të zhvillojë në Kuala Lampur.

Në këtë ndeshje, filipinasi do të trajnohet dhe shoqërohet në ring nga trajnerët Restuido Fernandez e Raides Neri. I zhgënjyer nga ky vendim ka mbetur Freddie Roach, që ka reaguar. “Kam 15 vjet që bashkëpunoj me Manny dhe ia kemi kaluar shumë mirë bashkë. Kemi qëndruar bashkë më shumë se sa zgjasin mjaft martesa dhe kjo është një gjë e rrallë në boks. Unë i uroj më të mirat në ring edhe pse nuk kam mundësi këtë herë ta ndihmoj. Do të gënjeja po të thoja që nuk jam zhgënjyer, pasi prisja që ai të më kontaktonte dhe të ma thoshte vetë vendimin, por e pranoj atë”, tha Roach. /Agjencitë/

 

 

Art Channel

The author Art Channel